A ishte e lidhur Xhuljeta me Xhaferin? Flasin familjarët e 19-vjeçares: Ai ishte maniak, vajza…

447
0

Flasin familjarët e 19-vjeçares, Xhuljeta Çuni

Ndonëse në procesverbalet e deklarimeve të mbajtura në Polici dhe në Prokurori, Xhuljeta Mata dhe Xhafer Çuni specifikohen si ish-të dashur, familja e 19-vjeçares nuk e pranon këtë.

Ata shprehen se Xhuljeta nuk ka pasur të dashur, ndërsa shqetësimet që kishte pasur nga Xhafer Mata nuk ia kishte thënë familjes, pasi kishte prioritet shkollën dhe donte që ta zgjidhte me drejtësi, për të parandaluar sherret apo problemet.

“Vajza nuk e ka pasur të dashur. As nuk ka folur me të. Ai ka qenë maniak. Të paktën ju gazetarët mbroni vajzat, sepse Policia nuk po vendos drejtësi. Mediat duhet t’i japin të drejtë vajzave, jo monstrave”, shprehet një i afërm i Xhuljeta Çunit, përmes disa mesazheve që na ka dërguar. Ai na kërkon që për hir të vajzës së re që hyri në dhe’, të lëmë të qetë familjen e saj.

“Siç ka qenë vajza e drejtë, ne të drejtat do i kërkojmë. Fajtori edhe pse në Shqipëri nuk dënohet, të paktën të dimë kë të fajësojmë”, shprehet ai për “Panorama”.

Familja e Xhuljeta Çunit është shprehur para disa ditësh me rezerva edhe për punën parandaluese të Policisë e të Prokurorisë. Madje, edhe lapsusi në një prej komunikatave, ku në kallëzimin që kishte bërë Xhafer Mata për mashtrim, Policia i referohet Xhuljeta Çunit si ish-bashkëshortja e tij, për familjen është i papranueshëm.

Ndërsa tregojnë se nuk kanë qenë në dijeni të veprimeve të Policisë e Prokurorisë, për të cilat pretendojnë se duhej të ishin njoftuar. Ndërsa babai i 19- vjeçares nuk ndodhej në Shqipëri në kohën kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Ai prej vitesh ka jetuar e punuar si emigrant në Greqi, fakt që ishte përmendur edhe nga viktima në kohën që ka folur me psikologët në Prokurorinë e Tiranës. Për këtë arsye, ajo kishte vendosur të mos i tregonte familjes, në mënyrë që të mos e shqetësonte të atin që ndodhej në emigracion.