Skip to content

A duhet të shqetësohemi nga tërmeti që zgjoi Shqipërinë?! Sizmologu sqaron qytetarët..

    Një tërmet me magnitudë 4.4 të shkallës Rihter ka tronditur mëngjesin e së martës, datë 24 qershor, një pjesë të madhe të territorit shqiptar, duke shkaktuar shqetësim tek qytetarët, veçanërisht në zonën e Tiranës dhe Durrësit.

    Sizmologu Rrapo Ormëni, i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka sqaruar natyrën e këtij aktiviteti sizmik, duke theksuar se tërmeti është pjesë e një procesi normal për një vend si Shqipëria, i njohur për aktivizmin sizmik.

    Sipas Ormënit, goditja kryesore është shoqëruar me disa paragoditje dhe pasgoditje të lehta, duke treguar se cikli i tërmetit është drejt përfundimit dhe nuk ka vend për panik. Tërmete të tilla, edhe pse ndihen gjerësisht, nuk shkaktojnë dëme dhe nuk përbëjnë rrezik për popullatën.

    “Ky tërmet me magnitudë 4.4 të shkallës Rihter, që ishte me epiqendër në afërsi të Kamzës dhe me një intensitet me qendër 5 deri në 6 ballë, i cili është ndjerë mbi 5 ballë në zonën e Tiranës, Durrësit, po ai është ndjerë 4-5 ballë në Elbasan, Burrel edhe në Bulqizë. Është ndjerë në zonë më të gjerë 4-5 ballë në Lushnje, Shkodër, Peshkopi dhe Ulqin. Pastaj mbi 3 ballë në një zonë më të gjerë, në Shqipërinë jugore, po është ndjerë po ashtu edhe jashtë territorit në Mal të Zi, në Kosovë edhe në Maqedoni.

    Tërmeti është shoqëruar me paragoditje, me rreth 5 paragoditje, që arritën në magnitudën 2.2. Pas goditjes kryesore, tërmeti është shoqëruar edhe me një seri pas goditjesh, nga të cilët rreth 10 prej tyre me magnitudë 2.7 dhe 2 prej tyre janë me magnitudë mbi 3. Pra kjo tregon që është një tërmet i cili ka ciklin e tij. Tërmetet me magnitutë 4.4 bien në të gjithë territorin e Shqipërisë, aq më tepër në këtë zonë, e cila është një zonë aktive. Këta janë tërmete të vegjël, të cilët nuk shkaktojnë dëme, por janë tërmete të cilat vetëm ndjehen.

    Nuk ka vend për shqetësim. Është një proces normal për vendin tonë, tërmete të tilla me këtë aktivitet sizmik, quhen tërmete të vegjël. S’ka vend për panik, aq më tepër që ky tërmet vjen me pasgoditje, që do  të thotë se ka mbaruar ciklin e tij dhe nuk do të ketë një tërmet tjetër”, sqaroi sizmiologu.