A do të pajisemi edhe ne me certifikata të vaksinimit si vendet e BE?

369
0

BE po planifikon të nisë me lëshimin e certifikatave digjitale të vaksinimit kundër koronavirusit, nga muaji qershor.

Për qytetarët e vendeve të treta, përfshirë Ballkanin Perëndimor, është hapur po ashtu mundësia që të pajisen me këtë dokument kur të udhëtojnë.

Megjithatë, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Cristian Wigand, kujtoi se udhëtimet jothelbësore të qytetarëve të vendeve të treta mbeten të ndaluara.

“Ata që mund të udhëtojnë aktualisht, do të mund të marrin edhe një certifikatë digjitale të gjelbër, duke e kërkuar atë nga shteti, në të cilin udhëtojnë. Shtetet anëtare duhet të vlerësojnë provat e vaksinimit dhe ta lëshojnë certifikatën digjitale”, tha zëdhënësi i KE-së, Wigand. Certifikatat digjitale të BE-së do të përmbajnë informacione në lidhje me vaksinimin, testin negativ PCR ose praninë e antitrupave.

Në Komisionin Evropian po ashtu tha se, së shpejti, qytetarëve të vendeve të treta do t’iu njihen edhe certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga vendet e tyre, por kjo, sipas zyrtarëve evropianë, kërkon harmonizimin e sistemit të lëshimit të këtyre dokumenteve me kërkesat evropiane.

“Me këtë, certifikatatat e vendeve të treta do të pranohen në BE njësoj si certifikatat e gjelbra digjitale, të lëshuara nga BE-ja”, tha Wigand.