A do mbyllet Shqipëria, Brataj flet per masa shtrënguese: Ashtu si vendet e tjera edhe vendi yne do te..

578
0

Edhe vendi yne ka hyrë në valën e dytë të pandemisë. Rastet ditore që po i afrohen shifrës 300 si dhe rrritja e shtrimeve në spital flasin për një situatë serioze nga përhapja e virusit.

Për Skënder Brataj, këto nivele infektimi ishin të pritshme pas hapjes së shkollave: “Në këtë periudhë ishte normale që do të kishte rritje të rasteve për shkak të hapjes së shkollave, për arsye të ftohjes së motit dhe ndryshimit të kushteve ambientale. Këto janë në favor të virusit në këto momente”.

Por, ky është vetëm fillimi i valës së dytë. Shefi i Urgjencës Kombëtare parashikon përkeqësim të situatës dhe nevojën për aplikimin e masave të tjera shtrënguese. Nuk bëhet fjalë për një mbyllje tjetër, thotë Brataj, por masa kufizuese ashtu siç po aplikohen në vendet e tjera.

“Gjendja dhe numrat do të rriten akoma sepse infeksioni është përhapur shumë. Siç po vepron gjithë bota, edhe Shqipëria nuk ngelet mbrapa, po diskutohen të gjitha masat kufizuese që nuk çojnë në mbyllje të plotë. Nuk e dimë ende, nuk është vendosur për masa të tjera”, tha Brataj.  

Me rritjen e infektimeve, Urgjenca Kombëtare ka shtuar numrin e ekipeve në terren për të trajtuar të sëmurët që e kalojnë koronavirusin në shtëpi. Skënder Brataj tërheq vëmendjen e mjekëve të familjes në lidhje me protokollin e mjekimit ndaj pacientëve me COVID. Jo të gjithë të prekurit kanë nevojë për antibiotikë: “Format e lehta nuk duhet të jenë agresiv me të gjitha medikamentet.

Në 4-5 ditët e para problemi kryesor është temperatura e cila kontrollohet me antipiretikë, me paracetamol, 2 deri 3 herë në ditë dhe sasia në varësi të peshës trupore. Nëse gjendja rëndohet, vijon temperatura dhe kolla, atëherë mund të fillohet një antibiotik pas javës së parë. Ndërsa në ditën e 8-10, personat që kanë një ecuri më të keqe dhe që kanë vështirësi në frymëmarrje mund të bëjnë një skaner për gjendjen e mushkërive dhe në këtë moment mund të vendoset në terapi kortizonike”.  

Brataj këshillon të gjithë të prekurit e konfirmuar, veçanërisht ata që janë asimptomatikë, të respektojnë qëndrimin në shtëpi për të mos u bërë burim infeksioni për të tjerët. 

Javën e fundit, testimet ditore e kanë kaluar shifrën e 1200 tamponëve, duke shënuar rekorde të reja infektimi.