E pabesueshme/ I ra celulari mes shkëmbinjve, gruaja ngec 7 orë me kokë poshtë duke kërkuar ta kapte..

668
0

Me një rast të pabesueshem janë përballur ekipet e shpëtimit në një fshat të Sidneit, në Australi, kur u thirrën për të nxjerrë një grua, e cila ishte bllokuar me kokë poshtë në një hendek të ngushtë midis dy shkëmbinjve, në përpjekje për të marrë telefonin që i ra aty.

Incidenti ndodhi në Hunter Valley, ku gruaja në fjalë po ecte me grupin e saj në një zonë të pyllëzuar rreth 120 km nga Sidnei. Gjatë shëtitjes, asaj i ra celulari në gropën në fjalë dhe u përkul për ta marrë dhe përfundoi me kokën e saj të futur në pykë midis dy shkëmbinjve të mëdhenj.

Gjendja e gruas ishte e tillë që i dukeshin vetëm shputat e saj dhe miqtë ishin të pafuqishëm për ta ndihmuar, ndaj ata thirrën ekipet e shpëtimit që publikuan fotot të cilat po bëjnë xhiron e rrjetit.

Ekipet e shpëtimit u thirrën rreth orës 09:30 të mëngjesit dhe për shtatë orët e ardhshme, policia, mjekët e ndihmës së shpejtë, zjarrfikësit dhe ekipet vullnetare punuan për ta liruar atë. Ata hoqën disa gurë të mëdhenj për të krijuar një kalim të sigurt dhe ndërtuan një kornizë për të kryer një operacion delikat. 

“Me këmbët e saj tani të arritshme, ekipi duhej ta drejtonte atë përmes një kurbe të ngushtë për ta çliruar atë”, thuhet në postimin në Facebook të ekipit të shpëtimit.

Një vinç u përdor për të lëvizur një shkëmb 500 kg dhe gruaja më në fund u lirua rreth orës 16:30. Për fat të mirë, ajo kishte vetëm gërvishtje dhe mavijosje të vogla.