Stuhia e forte godet Romën, rrufeja dëmton një nga atraksionet më të mëdha turistike

252
0

Gjatë një stuhie të fuqishme, Harku i Kostandinit në Romë, harku gjigant i triumfit pranë Koloseut, u dëmtua.

“Rrufeja goditi harkun pikërisht në këtë vend”, tha një turist, duke treguar një shkëmb të madh që u shkëput dhe ra në tokë, raporton Reuters.

Pamjet që janë publikuar tregojnë pjesët përreth monumentit, të cilat stafi i Parkut Arkeologjik të Koloseut i mblodhi me shpejtësi.

“Të gjitha pjesët janë grumbulluar dhe siguruar. Vlerësimi i dëmeve tashmë ka filluar dhe analizat do të vazhdojnë nesër”, thonë nga Parku Arkeologjik.

Dëmet u shkaktuan nga një stuhi e fuqishme që goditi qytetin, duke rezultuar me përmbytje të rrugëve dhe pemë të rrëzuara.

Shërbimi i mbrojtjes civile tha se 60 milimetra shi ranë në qendër të Romës në më pak se një orë, që korrespondon me sasinë e mbledhur zakonisht në një muaj në vjeshtë.