Temperatura mjaft të larta që shkojnë deri në 38 gradë Celsius, si dhe ditë me diell na presin këtë fundjavë. Megjithatë, duket se me mbarimin e kësaj fundjave, do i themi “lamtumirë” për sivjet temperaturave tejet të larta. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thekson se duke filluar nga java tjetër do të ketë ndryshim total të motit, pasi na presin disa ditë tipike vjeshte.
Lajda Porja: Sot do të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Në pjesën më të madhe të ditës vranësirat do të jenë prezente. Pjesa më e madhe e zonave malore do të rrezikohen nga rrebeshe të përkohshme shiu. Ka pasur një forcim të parametrit të erës. Megjithatë temperaturat kanë vijuar të jenë të larta që do të shkojnë deri në 34 gradë në disa qarqe, si Berati, Elbasani si dhe Fieri.
E shtuna sjell përmirësim të ndjeshëm të motit, pjesa më e madhe e territorit do të ketë më shumë diell dhe më pak vranësira. Dita e nesërme do të ketë një rritje të lehtë të temperaturave që do të shkojnë deri në 35 gradë. Parashikohet që e diela paradite të jetë kryesisht me diell, ndërsa pjesa e dytë do të shtojë vranësirat.
Si fillim do të jenë në zonat veriore, ndërsa të dielën në mbrëmje do të kemi shtim të vranësirave në të gjithë territorin duke bërë që e hëna të jetë një ditë e paqëndrueshme. Kjo fundjavë do të jetë me diell, me temperatura mjaft të larta për territorin shqiptar. Një fundjavë mjaft e favorshme për të frekuentuar bregdetin, ku temperaturat do të jenë deri në 38 Gradë Celsius.
Pyetje: Edhe sa do të vijojë kjo periudhë me temperatura më të larta se normalja?
Lajda Porja: Do të jetë vetëm kjo fundjavë. Duke filluar që nga java tjetër do të kemi një ndryshim total të motit. Na presin disa ditë vjeshte menjëherë pas përfundimit të kësaj fundjave.