Ndërron jetë aktori dhe producenti i famshëm francez, Alain Delon. Njoftimi është bërë nga tre fëmijët për France Presse.
Legjenda e aktrimit francez, një nga fytyrat më të njohura të kinematografisë botërore, ishte 88 vjeç dhe prej disa kohësh vuante nga kanceri i rëndë.
“Alain Fabien, Anouchka, Anthony, si dhe (qeni i tij) Loubo, njoftojnë me pikëllim të pamasë ndarjen nga jeta të babait të tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp. “Ai vdiq i qetë në shtëpinë e tij në Douchy, i rrethuar nga tre fëmijët e tij dhe familja e tij (. ..) Familja e tij kërkon me mirësi që të respektoni privatësinë e tij në këtë kohë zie jashtëzakonisht të dhimbshme.”
I lindur më 8 nëntor 1935 në Sceaux, në veri të Francës, Alain Fabien Maurice Marcel Delon ishte djali i menaxherit të një kinemaje të vogël, ndërsa nëna e tij ishte shitëse dyqani. Prindërit e tij u ndanë kur Alain ishte katër vjeç dhe djali i vogël iu besua një familjeje birësuese. Ndarja ishte shumë e dhimbshme dhe ndoshta ishte baza e temperamentit të vrullshëm që shfaqi Delon në rininë e tij. Pasi la shkollën në moshën 14-vjeçare, ai luftoi mes punëve të ndryshme. Deri në fillimin e karrierës së tij filmike, suksesi i të cilit është i lidhur pazgjidhshmërisht me Luchino Visconti.