Rritja e Pensioneve do të behet në tetor, llogaritja sipas çmimeve të shportës..

490
0

“Indeksimi i pensioneve do të realizohet në muajin tetor dhe si indeks do të përdoret jo inflacioni, por indeksi i çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve të pensionistëve”, kështu ka mësuar Radio Televizioni Shqiptar nga autoritetet e ministrisë përgjegjëse për pensionet.

Deklarimi do të thotë se rritja e pensioneve në muajin tetor nuk do të ketë lidhje me treguesin e çmimeve të konsumit të llogaritur nga INSTAT, në vlerën prej 2,1 për qind.

Në ndërkohë, qeveria ka korrektuar edhe pagat mbi të cilat llogaritet masa e pensionit duke filluar nga data 1 korrik 2024. Ky korrektim i nevojshëm dhe i domosdoshëm, merr parasysh Neni 59 të ligjit dhe ndryshimet e pagave minimale vitet e fundi. Ekspertët thonë se kjo është një rritje relativisht e mirë.

Ekspertët e qeverisë shqiptare dhe konsulentët e Bankës Botërore kanë nisur punën për rishikimin e reformës së pensioneve, e cila hyri në fuqi në vitin 2014, me qëllim korrigjimin e disa masave që kanë rezultuar të padobishme gjatë zbatimit të saj.

Ndryshimet që po diskutohen pritet të marrin në konsideratë uljen e viteve me kontribute për pension.

Në Shqipëri paguhen mesatarisht 21.6% kontribute, nga një mesatare 18% në vendet e OECD-së, thuhet në një studim të Komisionit Europian “Vlerësimi i përshtatshmërisë së pensioneve ne Shqipëri”. Edhe pse përqindja e kontributeve në Shqipëri është më e lartë, kontributet e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për të paguar shpenzimet totale për skemën publike të pensioneve në Shqipëri.

Në diskutim është edhe forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë edhe rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare.

Reforma, e marrë përsipër edhe njëherë nga Banka Botërore, synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension.

Rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë u përshpejtua në vitin 2023, me ritmet më të larta të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) mbi 590 mijë persona morën pension pleqërie në vitin 2023 me rritje vjetore 3,1%. Stoku i pensionistëve u zgjerua me rreth 17 mijë vitin e kaluar, një numër më i lartë pasi mesatarja vjetore, që nga 2010 me shtesë 15 mijë në vit.

Ministria e Financave priste që suficiti buxhetor të arrinte në 21,3 miliardë lekë në muajin qershor të këtij viti, por të dhënat e fundit tregojnë se balanca pozitive ka arritur një vlerë prej 51,4 miliardë lekësh (500 milion euro) ose 141 për qind më shumë se plani buxhetor. Një mundësi që mund të shfrytëzohet për rritjen e pensioneve, nisur edhe nga suficiti i skemës aktuale të pensioneve për vitin 2024.

Gazetar: Bardhi Sejdarasi