“Aty i lidhnin pleqtë se..”/ Dëshmia shokuese e ish-infermieres për azilin ku u vra i moshuari: Flinin dy vetë në një krevat, higjena zero..

876
0

Të ulur pranë njëri tjetrit, kjo është foto e fundit së bashku e dy të moshuarve.

Njëri prej tyre Zyhdi Shehi doli nga azili me pranga në duar, kurse tjetri Virxhil Vesho u nxor i pajetë prej andej, fillimisht u dërgua në një agjenci funerale si një i moshuar që kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale e më pas e përcollën në morg si të vrarë nga shoku.

Kur grupi i hetimit ka zbardhur skemën se çfarë ndodhi në shtëpinë e të moshuarve në rrugën Ali Visha, dhe kur autori po trajtohet në spitalin psikiatrik me urdhër të Gjykatës, Prokuroria ka administrua përpos kartelave të dy të moshuarve, njëri me sklerozë e tjetri me Parkinson dhe demencë, edhe të dhëna mbi administratorët.

Ajo çka ka kërkuar Prokuroria orët e fundit është sekuestrimi i kartelave të të punësuarve, për të kuptuar nëse plotësojnë apo jo kushtet për të shërbyer si kujdestarë të moshuarish. Nga ana tjetër ka administruar edhe dëshminë  e mjekut te punësuar në azilin privat, që u informua nga dy infermieret nën hetim për ngjarjen. Nazmie Mulla dhe Glesantina Saraçin thonë se mbasi e panë të dëmtuar viktimën ato kishin kujtuar se ai ishte rrëzuar aksidentalisht.

“Nuk e vlerësova që duhet ta kontrolloja trupin”, deklaron në dosje mjeku i azilit, “mbasi më treguan se i moshuari ishte rrëzuar ndaj dhe ju kërkova të njoftonin agjencinë funerale”

Një ish-punonjëse që ka punuar si infermiere, në kushtet e anonimitetit tregon për Top Channel mbas krimit se cilat janë kushtet aty.

Ish infermierja: Kam pasur pozicionin e infermieres, por jo të gjitha ishin të licensuara. Merreshin në punë edhe nëse kishin bërë një shkollë për infermieri dhe kaq. Të moshuarit nuk seleksionoheshin, një një familjar sillte një të moshuar e merrnin direkt. Kapaciteti ishte plot, kishte raste kur vendosnim për të fjetur dy pacientë në një krevat gjatë natës. Me turnin e natës ka dy infermiere dhe është e pamundur që të kontrollojnë të gjithë pacientët, ndërsa rregulli është që çdo i moshuar duhet kontrolluar çdo një orë gjatë natës. 

Pse i lidhnin të moshuarit? 

Ish-infermierja: Nuk është e lejuar, familjarët nuk e dinë sepse nuk do t’a linin babain ose në atë gjendje. Shumë pacientë që ishin të pamenaxhueshëm, ata që ndodheshin në katin e infermierisë na vinte urdhër që t’i lidhnim sepse i gjenim të rrëzuar apo të vrarë. 

Por i vetmi institucion që duhet të kontrollojë qendrat publike dhe jo publike për të moshuarit është Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, që o kontaktuar nga TCH nuk pranoi të prononcohet, nëse mbas ngjarjes ka nisur apo jo kontroll në këtë qendër.

Ish-infermierja: Sa kam qenë unë asnjë nga institucionet nuk ka ardhur për kontroll. Higjena, ushqimi dhe personeli duhej kontrolluar. Ushqimi nuk ishte i cilësisë së lartë. Gjatë natës pacientët ngriheshin dhe kërkonin bukë sepse konsumonin zakonisht përshesh me qumësht dhe kos. Disa prej tyre ushqeheshin nëpërmjet shiringës. Konsumonin edhe bukë me vezë dhe djathë përgjithësisht. Kushtet ishin deri diku të mjerueshme, higjena është zero.

Ka vetëm një grafi të kryer nga KLSH mbi azilet në Shqipëri dhe ai rekomandon mjaft ndryshime që nga kujdestarët deri tek paketa ligjore që duhet ndërhyrë.