Në Spitalin e Vlorës ka ndërruar jetë Hati Deliaj, gruaja e dhunuar nga bashkëshorti i saj, Ëngjëllush Deliaj. Viktima, e cila ishte shtruar në spital mbrëmë, kishte nofulla të thyera dhe shenja të tjera të dhunës nga i shoqi.
Një burim ekskluziv për JOQ ka hedhur dritë mbi detajet e rënda të vrasjes së 64-vjeçares.
Ky ishte një rast i përsëritur dhune. Hati Deliaj kishte qenë e dhunuar më parë nga burri i saj. Pas disa viteve që jetonin në Itali kishin vendosur të ktheheshin në Shqipëri. Gjatë pandemisë Hati ishte shtruar për një muaj në një qendër për rehabilitimin e grave të dhunuara në periferi të Torinos. Pas kësaj periudhe, ajo i kishte dhënë një mundësi të dytë bashkëshortit, por dhuna kishte vazhduar.
Gjatë këtij viti, 64-vjeçarja kishte vuajtur nga probleme me mushkëritë dhe kishte kërkuar ndihmën e familjarëve të saj, të cilët e kishin dërguar në spitalin turk të Fierit për t’i shpëtuar jetën, pasi burri i saj nuk i kishte dhënë ndihmë. Pas trajtimit në Fier, ajo kishte filluar të përmirësohej dhe të kryente disa aktivitete në shtëpi, por nuk kishte dalë jashtë. Në tre muajt e fundit, ai i kishte ndërprerë çdo marrëdhënie me familjarët e saj dhe kishte refuzuar t’i lejonte ata në shtëpi.
Mbrëmjen e kaluar, burri informoi një kushërirë të gruas për gjendjen e saj, duke i thënë se ajo po vdes. Kur njëra prej motrave të gruas e njoftoi se do të kontaktonte policinë, burri, i frikësuar njoftoi ambulancën.
Çifti nuk kishin fëmijë, por 70-vjeçari ka tre djem nga martesa e tij e parë me një tjetër grua, e cila edhe kjo e fundit ka vdekur.
“Shiko si e ka katandisur. E Ka mbajtur te izoluar dhe dhunuar. Nofulla eshte e thyer, ne sy dhe ne gryke ka te nxira nga dhuna”,-shkruan burimi për JOQ që ka siguruar fotot e dhunës së autorit ndaj viktimës.