Skip to content

Bergamo “pushtohet” nga Rinasi, kryhen deri në shtatë fluturime në ditë

    Pasagjerët nga Shqipëria kanë regjistruar numrin më të lartë në aeroportin ndërkombëtar të Bergamos në Itali. Referuar shifrave të kompanisë të specializuar analitike “Air Service One”, në gjysmën e parë të vitit pasagjerët për dhe nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit kanë qenë mbi 338 mijë, me një diferencë të konsiderueshme ndaj aeroportit të Bukureshtit. Aktualisht, nga aeroporti i Rinasit për në Bergamo dhe anasjelltas kryhen deri në shtatë fluturime në ditë.

    Sipas të dhënave zyrtare, në këtë periudhë kohore aeroporti i Bergamos ka regjistruar rreth 8,4 milionë pasagjerë. Interesant është fakti se trafiku i lartë i pasagjerëve për dhe nga aeroporti i Rinasit lë pas me diferenca të mëdha aeroporte të njohur ndërkombëtarë si London Stansted, Barcelona, apo Sabiha Gokcen të Stambollit, pa përmendur destinacione brenda Italisë.

    Përsa i përket totalit të pasagjerëve sipas shteteve, natyrisht Italia mban vendin e parë, ndjekur nga Spanja, Rumania, Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia, të cilat kanë më shumë aeroporte sesa Shqipëria me vetëm një të tillë. Ndërsa, vendi ynë renditet i gjashti. Dorian Koça/SCAN

    Duke u rikthyer në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, në muajin qershor u arrit një shifër rekord pasagjerësh duke kaluar lehtësisht 1 milion. Periudha nga janari deri në qershor 2024 kishte gjithashtu një rritje të jashtëzakonshme, duke mirëpritur 4,790 milionë pasagjerë, në rritje me 65% nga viti i kaluar.