Atentat me 3 të vrarë në Memaliaj, zbulohen detajet

567
0

Një atentat me pasojë 3 viktima dhe 1 të plagosur ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr.3 në Memaliaj në lokalin e shtetasit K.K. rreth orës 23:20.

Sipas informacioneve paraprake, raportohet se objektiv i atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi (babai i Andrea dhe Zamir Kalemit), i cili ka mbetur i vrarë. Viktimë ka mbetur dhe Marsel Çela, 47 vjeç (lidhje shoqërore e viktimave), si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, 57 vjeç, (vëllai i Shyqri Kalemit), i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje si pjesë e sagës së ngjarjeve të ndodhura që prej 11 Qershorit të vitit 2022 kur mbeti i vrarë në Tiranë me shpërthim të telekomanduar Aleksandër Sadikaj.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet tip BMW, të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër.

Korrespondentja e Klan News, Dorina Muhaj, e cila raporton nga vendi i ngjarjes thotë se shumë pranë vendit ku është djegur mjeti, dyshohet t’i jetë vënë flaka dhe një lokali. Sipas informacioneve paraprake, ka dyshime se në atentat janë përfshirë 3 persona, njëri prej tyre ka dalë nga automjeti dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt objektivit të tyre, Shyqyri Kalemit.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.