Makinat nga Koreja, a ia vlejnë? Çmimet e lira joshin shqiptarët, ja cfarë importojnë nga Korea e Jugut

547
0

Gati 9 mijë kilometër distancë gjeografike, një treg aspak tradicional referuar historisë… sot Korea e Jugut është kthyer në burimin kryesor nga ku shqiptarët importojnë makina. Shteti në Azinë Lindore rendite i dyti pas Italisë në drejtim të importeve të automjeteve, duke lënë pas Gjermaninë dhe Zvicrën. Vetëm në gjysmën e parë të vitit, prej andej u sollën dhe u regjistruan 8 mijë e 754 makina.

“Çmimet e shitjes atje janë shumë të ulëta për shkak të politikës që ata kanë për makinat e reja, për makinat elektrike. Makinat e naftës 10-vjeçare apo edhe më të reja përpiqen t’i shesin që të blejnë makina më të reja, elektrike”, tha Ardis Biba, importues automjetesh.

Po sa më pak kushton një makinë e sjellë nga Korea e Jugut në krahasim me tregjet e tjera?

“Në krahasim me Shtetet e Bashkuara, çmimi i automjeteve nga Korea është i përafërt. Ndërsa krahasuar me tregjet europiane, për shembull kjo makinë ka ardhur rreth 8 mijë euro më lirë”, shtoi ai.

Ardisi, i cili u bë pjesë e tregut rreth tetë vjet më parë duke sjellë makina jo vetëm nga Korea e Jugut, por edhe Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe Evropa na tregon edhe mbi importet mesatare në një muaj.

“Ne sjellim mesatarisht nga të gjitha tregjet 200-250 makina çdo muaj që importojmë si nga Korea, Kina apo Amerika. Nëse mund të marrim një mesatare vjetore, kemi rreth 3 mijë automjete të importuara”, deklaroi Biba.

Po çfarë makinash importojnë kryesisht shqiptarët nga Korea e Jugut?

“Kemi kompanitë e makinave me qira të cilat kryesisht duan automjete të vogla të tipit Volkswagen Gold apo Mercedes Benz C dhe E-Class. Ndërsa pjesa tjetër, janë individë që duan Tuscon apo Edhe Audi Q7 etj”, tha ai.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se importi i mjeteve të transportit nga Korea e Jugut ka pësuar një rritje të konsiderueshme nga viti në vit. Nga rreth 870 milionë lekë importe të automjeteve në 2018-n, vitin e shkuar shifra arriti në 8.5 miliardë lekë duke gati u 10-fishuar në harkun e 5 viteve.