Shumë të huaj kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion për turizmin dentar. Por jo të gjithë janë të kënaqur. Shtetasja italiane Maria Rosario Lanziello, tregon, se erdhi nga Italia, për të bërë implantet dentare në “Tirana Dental Hospital”.
Por pas tre vjetësh, ajo thotë, se ka shqetësime akoma. Maria ka paguar 7500 euro dhe është kthyer disa herë në Tiranë, për të ripunuar dhëmbët, por sërish ka shqetësime, pasi siç thotë ajo, diçka nuk është bërë mirë që në fillim me harkun e poshtëm të gojës.
Maria Rosario Lanzielli, denoncuesja: Pagova 7500 euro dhë më thanë që duhet të bëja parapagesë për të dyja fazat e punës. I pagova dhe më pas erdha. Erdha dhe faza e parë shkoi mirë, më pritën shumë mirë, megjithëse në Dhjetor kur isha në Rumani më ra një copë nga implanti. Jam kthyer dhe ma vendosën dhe në mars kisha për të vënë implantet përfundimtare. Në mars i kam vendosur përfundimtaret dhe kam sjell dhe një shoqen time në këtë klinikë në Qershor ku dhe kam shprehur shqetësimi me pjesën e poshtme të dhëmbëve dhe doktori më ka thëne që duhet të mësohem me ato. Kam vendosur implantet përfundimtare në mars 2022 dhe nga ajo kohë kthehem çdo 3 muaj për të njëjtin problem. Është një copëz e diçkaje në pjesën e poshtme të dhëmbëve. Harku i poshtëm nuk është bërë mirë. Ua kam thëne këtë shqetësim dhe doktori me tha “ah po ka mundësi” dhe me propozon të provojmë materialinin e porcelanit. Kanë provuar të vendosin porcelan mbi zirkon dhe nuk ka funksionuar. Në janar mi kanë shtrënguar dhëmbët dhe unë kisha dhimbje. Jam rikthyer sërish dhe jam takuar me doktor Lauren dhe i kam thëne që është bërë një gabim nga fillimi i punës sepse kisha dy vite me dhimbje. Ai më është përgjigjur se nëse unë e them serish që ai ka gabuar do të çohem dhe do të largohem. Unë vazhdoj te kem diçka ne harkun e poshtëm të dhëmbëve qe me jep bezdi dhe ata e limojnë duke zhveshur zirkonin dhe duke më lenë një shije të ashpër në gojë.
Përveç shërbimeve stomatologjike zonja ka bërë dhe kirurgji plastike, bleforopastikë për rënien e kapakëve të syrit. Edhe pse kjo ndërhyrje bëhet në kushte spitalore, për të, gjithçka ka ndodhur në karrigen e stomatologut në dhjetor 2022. Italiania pagoi 1400 euro, por thotë, se i kanë lënë një copë pa hequr në kapakun e syrit.
Maria Rosario Lanzielli, denoncuesja: Më kanë bërë bleforoplastikën, kirurgji plastike në kapakët e syrit, në një karrige të klinikës dentare. Një gjë e pamundur sepse për të bërë bleforoplastikën mund të marrësh dhe ndonjë infeksion, duhet sallë e posaçme. Kjo ka ndodhur në dhjetor 2022 dhe ata kanë lënë një copë pa më hequr te kapaku i syrit. Po në këtë klinikë dentare kam bërë dhe tërheqjen e vetullës dhe kjo një gjë që s’duhet ta bënin. Kam paguar 1400 euro. I kam bërë në “Tirana Dental Hospital” dhe doktori që më ka bërë ndërhyrjen ka qenë gjithmonë Lauren Muhametaj.
Si të mos mjaftonin të gjitha këto, Maria është përballur edhe me një tjetër surprizë. Në Itali është njohur me një broshurë të klinikës në fjalë, që reklamonte shërbimet me fytyrën e saj edhe për ndërhyrje, që ajo nuk i kishte bërë .Kur i kërkoi klinikës llogari, portreti i saj u hoq nga rrjetet sociale e reklamat.
Maria Rosario Lanzielli, denoncuesja: Kur kam qenë atje më kanë treguar këtë broshurën. Në fillim mbeta e surpizuar kur pashë foton time aty. Kur u ktheva në Itali, një miku im më tha që Maria a iu ke dhënë atyre autorizim. Atëherë i kam telefonuar dhe iu thashë, më nisni autorizimin që iu kam dhënë për këtë broshurë dhe pas 5 minutash i kanë fshirë të gjitha nga rrjetet sociale. Broshurat me imazhin tim kishin ardhur deri në Itali dhe jo vetëm në disa qendra partnere të tyre në Tiranë, duke filluar nga “Tirana Dental Hospital” tek një klinikë estetike dhe madje dhe në parukerinë ku kam qenë dhe ishin në Italisht. Në këtë broshurë më kanë shtuar shërbime që nuk i kam bërë si mbushjen e buzëve, lip filler. Gjithashtu kanë ndërhyrë në imazhin tim duke më shëmtuar në broshurën që tregonte rezultatet e ndërhyrjes. /klan/