Aksidenti tragjik në Itali, identifikohen 3 viktimat, dalin pamjet e përplasjes (VIDEO)

7448
0

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik që u regjistrua në Itali ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën pesë të tjerë. Ngjarja ndodhi në qytetin e Livornos, ku tre makina u përplasën me njëra-tjetrën e si pasojë humbën jetën një çift gjerman, Robert Friendrich Fendt, 61-vjeç, gruaja e tij Maria Cornelia Schubert, 68-vjeç, si dhe 21-vjeçari Marco Acciai, drejtues i njërit nga mjetet e përfshira në aksident.

Aksidenti ka ndodhur në orën 13:00 të së dielës, ku makina tip Honda IX me të cilën po udhëtonte çifti gjerman përplaset kokë më kokë me një tjetër mjet tip Fiat 550 me drejtues 21-vjeçarin Marco Acciai dhe si pasojë humbën jetën të tre personat.

Në aksident është përfshirë edhe një makinë e tretë në të cilën po udhëtonte një çift austriak, dhe vajza e tyre, të cilët kanë mbetur të plagosur. Të plagosur kanë mbetur edhe dy persona të tjerë që ishin pasagjerë në dy makinat e lartpërmendura të përfshira në aksident.

Nuk dihen ende rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin është bërë një manovër e gabuar dhe shpejtësia tej normave të lejuara nga ana e shoferit gjerman. Siç mund të shihet dhe në videon e publikuar nga mediat italiane makina me të cilën udhëtonte çifti gjerman ka qënë me shpejtësi të lartë dhe ka devijuar nga korsia duke shkaktuar më pas aksidentin e trefishtë.

Tre viktimat e aksidentit janë dërguar në morg, ndërsa 5 të plagosurit ndodhen në spital ku po marrin ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe hetuesit po përpiqen të rindërtojnë edhe njëherë skenën e ngjarjes për të kuptuar atë që ndodhi.