E rëndë në Itali/ U përdhunua në pritje të mjekimit në spital, 22-vjeçarja hidhet nga dritarja dhe vdes

57668
0

Një grua e cila dyshohet se u përdhunua teksa ishte shtrirë në barelën e një reparti të urgjencës në Itali, raportohet se i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga dritarja e spitalit. 22-vjeçarja ishte në pritje të trajtimit në spitalin Vizzolo Predabissi pranë Milanos kur u sulmua seksualisht.

Ajo u tha infermierëve, të cilët thirrën me shpejtësi policinë, rreth orës 4 të mëngjesit: Më ndihmoni, më përdhunuan, sipas gazetës italiane Corriere Della Serra.

I dyshuari, një punëtor magazine 28-vjeçar, u arrestua vetëm disa orë më vonë teksa flinte në një barelë. Rreth orës 20:30 të së martës, gruaja mësohet se është hedhur nga dritarja nga kati i katërt i spitalit.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, ajo u shpall e vdekur në vendngjarje. I dyshuari mohoi akuzat për përdhunim dhe i tha një gjykate lokale se takimi seksual kishte qenë konsensual.

Ai tha se “nuk detyroi askënd” dhe se ata biseduan dhe ndanë një cigare së bashku para se të fillonin të putheshin. Mësohet se ai e ka takuar për herë të parë viktimën 22-vjeçare kur ka mbërritur në spital, ku mësohet se është vendosur në barelë pranë saj.

Prokurori vendas ka urdhëruar autopsinë e trupit të gruas, ndërkohë që hetuesit po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë nga departamenti i urgjencës për të zbuluar se çfarë ka ndodhur saktësisht. Raportohet se i dyshuari ndodhet në paraburgim.