Kozeta Çaushaj, 56-vjeçe, është shqiptarja që u përplas për vdekje nga një makinë në Itali teksa ishte duke shëtitur me mbesën e saj 10-vjeçare. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar, në Via VI Strada në Bellocchi, në Provincën e Pesaros ku një automjet tip “Smart” që drejtohej nga një 35-vjeçare, goditi shqiptaren dhe pasojat ishin fatale.
Fill pas përplasjes mësohet se shoferja 35-vjeçare ka ndaluar mjetin, për t’i dhënë ndihmën e parë shqiptares dhe ka thirrur urgjencën mjekësore por ka rezultuar e kotë, pasi 56-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë vogëlushja 10-vjeçare mësohet se është vizituar nga punonjës të shëndetësisë pasi ka pësuar gjendje shoku pasi ka parë tragjedinë me gjyshen e saj.
Autoritetet kanë arrestuar shoferen 35-vjeçare, për veprime të mëtejshme proceduriale. Nga hetimet paraprake ajo nuk ka rezultuar nën efektin e alkoolit, por dyshohet se shkak për aksidentin të jetë bërë një manovër e gabuara nga ana e shoferes e cila gjithashtu ka qënë me shpejtësi tej normave të lejuara.