“Çadrat me vete deri ditën e..”, sinoptikanja: E marta do të jetë si një ditë dimri ndersa ditet e tjera..

35028
0

Sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” tregoi se nga dita e hënë deri të enjten, këshillohet që të mbani një çadër me vete pasi reshjet e shiut do të jenë të paparashikueshme. Sipas saj, gjatë këtyre 4 ditëve të javës, pritet të kemi reshje shiu dhe po ashtu dëbore në disa zona, ndërsa ndryshimet e temperaturave do të jenë drastike nga dita në ditë. Kushtet e motit parashikohet të përmirësohen gjatë fundit të javës duke filluar nga e premtja ku pritet të kemi intervale të gjata me diell dhe po ashtu temperatura tipike pranverore.

Lajda Porja: Në këtë javë jemi në mes të pranverës me copëza dimri. Janë kthyer reshjet, mbrëmë ka pasur rrebeshe pothuajse në të gjithë zonën veriore dhe perëndimore. Mbeten prezente edhe në ditën e sotme, të paktën paraditja do të jetë e paqëndrueshme. Herë pas here do të ketë ndërprerje, por rrebeshet do të jenë prezente sidomos në veri të vendit.

Në fakt, do të ketë edhe zona qëndrore, por do të jenë rrebeshe afatshkurtra, por më pak rrebeshe presim që të ketë në jug. Ka pasur rënie të temperaturave, që është shoqëruar me një forcim të perimetrit të erës. Janë rikthyer reshjet e dëborës. Situata e motit do të jetë e paqëndrueshme të paktën deri në mesjavë, pra ditën e enjte do të kemi prezencë të reshjeve. Nuk do të kemi reshje nga mëngjesi deri në mbrëmje, por herë do të jenë në mesditë e herë në mbrëmje dhe herë gjatë natës. Do të kemi edhe intervale me kthjellime. Përmirësimi i motit do të jetë të premten dhe në fundjavë dhe do të jetë mjaft i dukshëm.

Situata termike paraqitet disi problematike përgjatë kësaj jave sepse do të kemi luhatje nga dita në ditë, pra nga sot dhe nesër presim një rënie të ndjeshme nga 4-5 gradë. Parashikohet që maksimalet të jenë rreth vlerës, 14 apo 15 gradë dhe dita e martë do të ndihet si një ditë dimri, si një ditë Shkurti, e ftohtë me reshje të pakëta, por do të ketë edhe reshje dëborë. Dita e mërkurë edhe pse do të jetë me reshje do të sjellë 5 apo 6 gradë rritje. Luhatja do të jetë drastike nga dita në ditë.

Nga e premtja, përfshirë edhe fundjavën do të kemi një stabilitet të motit, ku do të kemi më shumë diell dhe temperatura të larta, 22-23 gradë. Nga e hëna deri të enjten, çadra me vete sepse do të ketë herë pas here rrebeshe, do të jetë një situatë e paqëndrueshme, ndërkohë që diellin parashikohet ta shohim të premten dhe në fundjavë./klan/