Gjykata jep dënimin për Safet Gjicin, ai perlotet ne salle

589
0

Safet Gjici është dënuar me 3 vite burg për shpërdorim detyre. Ndërkohë, për Alma Kaçin gjykata ka dhënë dënimin me 1 vit burg, duke e shpallur fajtore atë për prostitucion.

Para shpalljes së vendimit, ish-kryebashkiaku i Kukësit kërkoi pafajësi, duke pretenduar se nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa i përlotur i kërkoi falje familjes dhe qytetarëve të Kukësit.

“Unë kam marrë dënimin më të madh, dënimin moral. U kërkoj falje familjarëve të mi dhe qytetarëve të Kukësit”, tha Gjici.

NJOFTIMI I GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit Safet Gjici, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe të pandehurës Alma Kaçi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Erjon Bani dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 41/128 Regjistri themeltar, datë datë 07.02.2024 vendosi:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit Safet Gjici për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 3 vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Safet Gjici me 2 vjet burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Safet Gjici fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme. Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Safet Gjici i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vjetësh.

-Deklarimin fajtore të të pandehurës Alma Kaçi, lidhur me kryerjen e veprës penale “Prostitucioni” parashikuar nga neni 113 parg. 1 i Kodit Penal dhe dënimin e saj në bazë të kësaj dispozite me 1 vit e 6 muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Alma Kaçi me 1 vit burgim. Vuajtja e dënimit për të pandehurën Alma Kaçi fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të vuajtjes së dënimit për femra.