Nga dita e sotme Italia përfshihet nga moti i keq, ndërsa temperaturat do të ulen ndjeshëm.
Sipas mediave italiane, gjatë ditës do të ketë reshje të dendura shiu në disa rajone si Sardenja, Toskana dhe Piemonte. Por duke filluar nga pasditja do të përfshihet nga reshjet intensive edhe pjesa perëndimore e gadishullit Apenin.
Ndërkohë në lartësitë mbi 800 metër do të ketë reshje bore. Situata pritet të përkeqësohet gjatë orëve të mbrëmjes të së premtes, ku i gjithë veriu do të preket nga cikloni Befana, i cili do të shoqërohet me erëra të forta dhe stuhi.
Sipas RaiNews, zona që do të goditet më së shumti nga kjo stuhi do të jetë jugu i Sardenjës. Ndërkohë në Alpe pritet të ketë më shumë se gjysmë metri dëborë.
Pas Italisë, cikloni do të lëvizë drejt detit Adriatik dhe më pas do të prekë edhe Ballkanin. Ulja e temperaturave dhe i ftohti polar, sipas mediave fqinje, do të zgjasë tri ditë.
Ndërkohë si pasojë e shirave të dendur, Franca dhe Gjermania gjatë kësaj jave janë përballur me përmbytje në zonat veriore.
Nga vala e të ftohtit janë prekur dhe vendet nordike, ku temperaturat në Suedi kanë arritur në minus 43.6 gradë.