Këtë vit, gjeli i detit do t’u kushtojë më shtrenjtë familjeve shqiptare. Çmimi i tij është rritur me 100 lekë më shumë për kilogram, ndërsa i pulës 200 lekë më shumë.
Fermerët në tregun e Baldushkut, një nga furnizuesit më të mëdhenj për kryeqytetin, thonë se shkak është bërë rritja e kostos së mbarështimit të tyre.
‘Kilogrami është 12 mijë lekë të vjetra pa therë 13 mijë lekë të vjetra i therë! Pula 14 mijë lekë të vjetra e pa therë, e therë 15 mijë lekë të vjetra kg. Vjet e kemi shitur 9 mijë lekë të vjetra 10 mijë lekë.- tha Lule Ibrahimi, fermere.
Lule Ibrahimi merret prej më shumë se 10 vitesh me mbarështimin e gjelave të detit bashkë me të birin. Ata thonë se pavarësisht kërkesave të shumta, fitimet janë ulur ndër vite, si pasojë e rritjes së shpenzimeve.
‘Ka shku kostoja sa nuk di nona, baje e blej misër, blej hinte!’- tha fermerja.
‘Kostoja është e madhe. I vogël asnjë kg nuk vjen. Fillo me koncentrat!’- u shpreh fermeri.
Shpresat për më shumë shitje i kanë në 10 ditët e fundit të vitit, pavarësisht se klientët i kanë të përhershëm.
‘Ai që nuk ka klientë i çon te fusha. Ne kemi klientelën tonë.’- tha ajo.
Edhe pse është ende herët, qytetarët shprehen të vendosur se gjeli i detit nuk do të mungojë në tryezën e tyre, pavarësisht çmimit.
Tregu i Gjelave të detit në fshatin Baldushk funksionon prej 8 vitesh dhe ndodhet vetëm 15 kilometra larg kryeqytetit.