“Do transportojme me dron pakot postare” Ministrja Ballu zbulon projektin me te fundit te qeverise

387
0

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka marrë pjesë në 111-vjetorin e krijimit të Postës Shqiptare. Gjatë fjalës së saj në këtë aktivitet, Balluku e ka vënë theksin tek një projekt i madh inovacioni që do të përfshijë shërbimet nga Posta Shqiptare.

Belinda Balluku: Posta Shqiptare ka nisur prej kohësh një projekt të madh inovacioni duke pasur parasysh që është institucioni që shkon në çdo cep të vendit tonë. Nuk ka një institucion tjetër shtetëror që shkon nga Vermoshi në Konispol duke qenë i prekshëm nga të gjithë dhe sidomos nga grupet vulnerabël. Tani që ne jemi gati dhe kemi projektuar dhe dizenjuar këtë zhvillim të ri innovator dhe teknologjik, ka ardhur momenti ta promovojmë. Të gjithë e dimë sa shumë shërbime merren nga zyrat postare. Synojmë që pagesat të kryhen në mënyrë elektronike. Ne synojmë që përmes një karte universale dhe përmes një investimi të rëndësishëm që do të bëhet në pikat e shpërndarjes, ne t’i japim mundësinë çdo pensionisti që të shkojë dhe të tërheqë para pa pasur nevojë të shkojë në bankë dhe të paguajë komisione.

Balluku ka thënë se planifikohet që duke nisur nga viti 2024 të zhvillohet një projekt të ri dhe bëhet fjalë për transportin me dron të pakove postare për t’i transportuar ato në një vend tjetër.

Belinda Balluku: Ajo që është më e rëndësishmja, ne planifikojmë duke nisur nga viti 2024, të kemi një projekt të ri që do të ngjajë pak futurist, ashtu siç u komentuan satelitët dhe bëhet fjalë për transportin me dron, i cili do të marrë nga qendrat e ndryshme postare, pakot postare për t’i transportuar ato në një vend tjetër. E gjitha kjo do të na japë eficencë në kohë, eficencë financiare edhe ulje të emetimeve të karbonit që është edhe kjo një nga synimet e Shqipërisë.