Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ndryshe nga vitet e tjera, bonusi për pensionistët do të shpërndahet më herët këtë fundvit.
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Vlorë, Rama tha se qeveria ka parashikuar një fond prej 250 milion eurosh për pensionistët në buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe se pavarësisht dëshirës për të bërë më tepër, ekziston një gropë e pambyllur e trashëguar nga qeveria e mëparshme, sikurse ajo e mospagimit të sigurimeve shoqërore.
“250 milion euro në buxhetin e vitit të ardhshëm për pensionistët. Natyrisht që do donim që kjo shumë të ishte dhe më e madhe por ne ndërkohë kemi më shumë se asnjëherë më parë. Asnjëherë nuk duhet harruar se numri i pensionistëve krahasuar me të gjithë të tjerët është shumë i lartë. E dyta gropa e krijuar nga mospagimi i sigurimeve shoqërore është e vetmja gropë e pambyllur në të gjitha gropat që trashëguam nga qeveria e mëparshme kur morëm detyrën dhe kjo e bën më të vështirë realizimin e ambicies dhe dëshirës tonë për të pasur një rritje më të ndjeshme të pensioneve.
Mbrojtja sociale në të gjithë buxhetin 2024 33% e të gjithës shkon për kujdes social që nga pensionistët për të cilët përveç rritjes së pensioneve përmes riindeksimit të vazhdueshëm të tyre është përcaktuar edhe bonusi i pensionistit, bonus që do ta japim përsëri tani në prag të festave por ndryshe nga vitet e tjera pikërisht për shkak se kemi një situatë financiare më të mirë se çdo vit tjetër do të fillojmë ta japim menjëherë, brenda disa ditësh do fillojë shpërndarja e bonusit të pensionistëve për festat e vitit të ri siç u bë dhe vitin e kaluar e gjatë gjithë viteve, por jo në fund të vitit por më përpara. Për herë të parë në vitin e ardhshëm do kemi 2% të shpenzimeve të buxhetit për mbrojtjen”- tha Rama.