Marin oksigjen përmes tubit, dalin pamjet e 41 punëtorëve te ngecur në tunel: Ngrije dorën dhe buzëqesh!

381
0

Një video e publikuar nga BBC News tregon 41 punëtorët indianë të ngecur brenda tunelit në Uttarakhand. Këto janë pamjet e para filmike që pas raportimit të ngjarjes. Videoja është kapur përmes një kamere endoskopike e cila u fut brenda një tubi.

Incidenti u raportua mëngjesin e 12 Nëntorit në rajonin verior të Uttarkashi. Që prej asaj dite, ekipet po kujdesen që t’i furnizojnë punëtorët me oksigjen përmes tubave, t’u çojnë ushqim dhe ujë, si dhe t’i motivojnë për të ruajtur qetësinë.

“Shumë vakte ushqimore i kemi futur në shishe”, thotë një nga anëtarët e ekipit.

Një zyrtar vendas i kërkon një prej punëtorëve të dalë kapë kamerën, e nëse arrin t’i dëgjojë instruksionet, të buzëqeshë e të përshëndesë me dorë, duke treguar shokët e tjerë.

“Ngrije dorën dhe buzëqesh! Do ju shpëtojmë, mos u shqetësoni! Na trego secilin nga punëtorët, një nga një”, dëgjohet në video. Nga videoja shihet se punëtorët e veshur me uniformat e tyre qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, ndërsa u thuhet se shumë shpejt do e pastrojnë tubin me ujë.

Të gjithë mezi po presin që ata të dalin jashtë, ndërsa operacioni i shpëtimit vijon. Këtë të Martë bëhen fiks 10 ditë që punëtorët ndodhen të izoluar në tunel. Po cili është plani i autoriteteve?

Siç shkruajnë mediat e huaja, ata kanë planifikuar që të hapin një vrimë të madhe nga ku mund të krijojnë hapësirën që punëtorët duke u zvarritur të dalin jashtë tunelit. Megjithatë, po tentohet dhe hapja e dy mini tuneleve në pjesën anësore të atij kryesor. Deri më tani janë futur 5 tuba brenda tunelit, të madhësive të ndryshme.