Vrasja e Klaudio Myrtos në Itali, rrëqeth e motra: Jemi të shkatërruar! Ai ka qenë..

586
0

Klaudio Myrtaj, 34 vjeç u ekzekutua me plumb në kokë disa ditë më parë në Itali. Ende nuk dihet shkaku dhe autori i ngjarjes së rëndë. E ndërsa hetimet nga autoritetet italiane vijojnë, për mediet ka folur partnerja e Myrtajt dhe motra e tij Desara.

Partnerja e viktimës, një 40-vjeçare që punon në një klub në Limone dhe nuk është nën hetim, përjashton në mënyrë “kategorike” krimin e pasionit. Hetuesit i kanë kthyer celularin që i kishin sekuestruar dhe dje ajo ka treguar dëshminë e saj në La Stampa.

“Ne ishim bashkë që nga marsi, e donim njëri-tjetrin, disa debate si në çdo çift. Një burrë fantastik, por shumë xheloz. Ai kishte debatuar dhe goditur me grusht dy persona më herët, por ata nuk ishin ish të dashurit e mi apo njerëzit që i njihja. Askush nuk do ta kishte vrarë për mua. Unë kam pasur eksperiencat e mia, por atë që ai më dha nuk e kam ndjerë kurrë me askënd. Unë isha mbretëresha e tij”, thotë partnerja e Klaudios.

“Ai kishte ndryshuar jetën e tij për mua dhe për vajzën time, të cilën ai e adhuronte.”

“Ishte hera e parë që punonte për shokun e tij, ndoshta për të fituar para. Këtë e ka bërë nga e marta deri të shtunën, me pushim të enjten në mëngjes, kur e shoqërova te mjeku për një dëmtim në dorë. Ne ishim bashkë të enjten në mbrëmje, nuk u pamë të premten, mesazhi i tij i fundit më mbërriti në orën 15:56 të së shtunës. Domethënë një orë para vrasjes.”

“Që atëherë, unë dhe vajza ime kemi jetuar në terror dhe ankth, vetëm shpresojmë që ata të gjejnë personin përgjegjës. Drejtësi për të, për ne, familjen e Klaudios, nënën, motrën e tij. Po përgatisnim pasaportat që të shkonim të kalonim natën e Vitit të Ri me ta”.

Ndërsa motra e tij, Desara Myrtaj 29 vjeç, e cila jeton në Vlorë ka thënë për mediet italiane se është e shokuar.

“Jam e shokuar, nuk e kuptoj. Klaudio ka qenë gjithmonë vëllai më i mirë në botë, gjithmonë pranë meje. Një djalë i artë, ai ndoqi universitetin dhe një master në marrëdhëniet me publikun. Ai punonte në një call center në Tiranë, por gjashtë vite më parë babai ynë ndërroi jetë, kështu që u kthye në Vlorë për të qenë pranë nënës. Por na duheshin para. Ai kontaktoi me kushërinjtë në Caraglio, me të cilët jemi shumë të afërt. Fillimisht shkoi në Spanjë për pushime, më pas iu bashkua atyre në Itali. E prisnim për natën e ndërrimit të viteve”.

“Pastaj lajmi i tmerrshëm. Më thirrën kushërinjtë e mi. Unë vërtet nuk di çfarë të them. Flisnim çdo ditë me Klaudion, ai nuk tha kurrë ndonjë gjë të çuditshme, madje as kushërinjve. Ai ishte njeriu më i sjellshëm dhe më korrekt në botë, ai nuk mund të lëndonte askënd”.

Ajo shtoi se ka folur disa herë me partneren e Klaudios.

“Kam folur me të një ose dy herë. Kam lexuar për krimin e pasionit, por nuk gjej asnjë logjikë në të. Ne kemi besim te drejtësia italiane, le të sqarohet. Mamaja është e shkatërruar. Për të, më e rëndësishmja tani është të kthejë Klaudion në Shqipëri sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i dhënë lamtumirën.”