Temperatura deri në 35 gradë, mësoni si pritet të jetë MOTI këtë javë

395
0

Ditët e plazhit nuk kanë mbaruar dhe këtë do e tregojnë temperaturat e larta dhe me diell që do të na shoqërojnë edhe këtë javë.

Sinoptikania Lajda Porja nga “MeteoAlb” në një lidhje direkte për Klan News thotë se kjo javë do të shënojë temperatura të larta deri në 35 gradë Celsisus.

“Termometri do të ngelet në 34-35 gradë Celsius. Janë temperatura shumë të larta. Mund të them se ky është një ndër Shtatorët e vetëm që ka shënuar këto vlera, të paktën nga data 1 e deri më tani”, thotë Lajda Porja.

Porja shton se dita e enjte dhe e premte e kësaj jave do të shoqërohen me freskim të motit, por që dita e shtunë dhe e dielë do të sjellë sërish temperaturat e larta dhe me diell.

“Ka një freskim të motit ditën e enjte dhe ditën e premte, si dhe një prezencë reshjesh, të cilat do të jenë afatshkurtra dhe të pakta dhe kryesisht në zonat veriore dhe qëndrore, megjithatë, dita e shtunë, do të sjellë përmirësim të motit, rritje të temperaturave deri në 35 gradë dhe e diela do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje”, shprehet Porja.

Sinoptikania Porja shton se muaji Shtator do të mbyllet me temperatura shumë të larta, ashtu siç ka nisur.

“Fundjava do të jetë disi e paqëndrueshme dhe pjesa e parë e kësaj jave do të jetë më shumë me diell dhe me temperatura të larta. Mund të them që e gjithë java përsa i përket Shtatorit, termometri shënon 4 apo 5 gradë mbi mesataren. Shtatori do të mbyllet me temperatura shumë të larta, ashtu siç dhe ka nisur”, shprehet ajo.