Kthehet nga Italia, shkodrani mëson se i kanë hequr nështetësinë

550
0

E pabesueshme por një emigranti shqiptar në Itali i kanë hequr pa asnjë motiv nënshtetësinë shqiptare.

Gjergj Zef Kola jeton në Itali dhe ka rrëfyer se si në vitin 2011 i kanë hequr nënshtetësinë shqiptare.

Gjergji ka ardhur në Shqipëri për të rinovuar pasaportën, por me të mbërritur në komunë ka marrë vesh se nuk është më shtetas shqiptar.

Për “FiksFare” Gjergji është shprehur:

Më thanë drejtpërdrejt: Presidenti i Republikës me dekret të ka hequr nënshtetësinë! Por unë nuk e di fare përse ma ka hequr.”

 

Që nga viti 2000 ai jeton në Itali, por pas një viti i skadojnë dokumentet. Në Itali ka ndërtuar edhe jetën e tij, ku ka një firmë të vetën, por që në Shqipëri nuk mund të vijë të takojë familjen e vet pikërisht prej këtij dekreti të dalë nga presidenti, përmes të cilit i kanë hequr nënshtetësinë.

Nga investigimi i bërë pranë Presidencës, ku gazetarët e emisionit investigativ arritën të marrin dokumentacionin e plotë lidhur me Gjergjin, u zbulua se nënshtetësia nuk i është hequr këtij Gjergj Zef Kole, por një tjetër shqiptari po me të njëjtin emër dhe po nga Shkodra.

Dallimi ishte mjaft i thjeshtë. Gjergj Zef Kola, i cili u ankua për heqjen e nënshtetësisë është i biri i Liljanës, kurse personi tjetër është i biri i Gjystepinës, të cilit i është hequr shtetësia. Pra Gjendja Civile i kishte hequr nënshtetësinë dikujt tjetër, vetëm e vetëm se nuk u lexuan gjeneralitetet.

Duke parë gabimin e bërë, gazetarët iu drejtuan Gjendjes Civile në Bashkinë e Shkodrës, nga ku doli se dekreti me nr. 3994, datë 03 nëntor 2003 i presidentit, ishte zbatuar në vitin 2011 nga Zyra e Gjendjes Civile e Bashkisë së Shkodrës dhe nga Zyra e Gjendjes Civile e Njësisë Administrative Hajmel, Shkodër.

Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Shqipëri…