Vala e të nxehtit ekstrem që ka mbërthyer të gjithë vendin, pritet që të na shoqërojë deri nga mesi i javës tjetër. Lajmin e bëri të ditur sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” në një lidhje direkte për Klan News.
Porja thotë se temperaturat maksimale pritet që të shënohen sot dhe nesër, që do të kapin vlerën e 43 gradëve.
Dita e dielë do të sjellë një rënie të lehtë në mëngjes me 2 gradë Celsisus, megjithatë temperaturat do të vijojnë të jenë shumë të larta.
Lajda Porja: Kjo valë që në Shqipëri ka filluar që në datën 9 dhe 10 Korrik, do të vijojë të mbetet prezente. Parashikohet që sot edhe nesër të jenë ditë shumë të nxehta, ku një pjesë e mirë e territorit do të shënojë vlera 40 dhe mbi 40 gradë Celsisus. Sot ka pasur një rënie të lehtë në veri, por mbetet intensive vala në zonat jugore duke bërë që Gjirokastra dhe Elbasani të shënojnë edhe temperaturat më të larta, mbi 42 gradë. Parashikohet që Tirana të jetë rreth vlerës 40 gradë, ndërkohë që bregdeti do të jetë rreth vlerës nga 37 deri në 38 gradë Celsius. Përsa i përket zonave malore, temperaturat më të larta i mban Kukësi, ku pritet që të jetë rreth vlerës 39-40 gradë.
Edhe nesër mbetemi nën intensitetin e kësaj vale të të nxehtit. Dita e shtunë nuk është se ka ndonjë ndryshim nga dita e sotme. Pritet që nesër të kapet një maksimum afërsisht 43 gradë, por jo më shumë. E diela paarshikohet të sjellë një rënie me 2 gradë në mëngjes. Ka edhe një rënie me 1 apo 2 gradë në mesditë dhe sërish java tjetër do të jetë nën ndikimin e valës së të nxehtit. Kjo valë do të qëndrojë deri në mesi i javës tjetër. Pritet që temperaturat në ekstremet e tyre të shënohen sot dhe nesër, ndërsa javë tjetër do të jetë rreth vlerës 40 apo mbi 40 gradë, megjithatë mbeten shumë të larta temperaturat.