Shqipëria është një nga vendet e përfshira nga temperaturat e larta që ka sjellë vala e të nxehtit Cerberus, sipas emrit të bishës mitike me tre koka të Dante Aligerit që ruante portat e Ferrit dhe mundonte mëkatarët në rrethin e tretë.
Sinoptikania Lajda Porja ka sjellë një parashikim për ditët në vijim, deri në ditët e para të gushtit. Ajo tha se edhe sot është një ditë e nxehtë dhe pse ka pasur një rënie të lehtë vetëm në zonat veriore dhe veriperëndimore.
“Spostohen vlerat ekstreme në disa zona në qendër dhe në jug, ku pritet që Cërriku, Ura Vajgurore, Lazarati, disa zona të izoluara do kapin vlerën dhe 43 gradë. Mbeten qytetet kryesore të Shqipërisë që nga Shkodra, Lezha, Tirana, Elbasani, Gjirokastra mbeten rreth vlerës 40-41 gradë. Pak më freskët sot do të jetë bregdeti, nga 36 deri në 38 gradë. Kemi pasur një rënie në Kukës dhe Has, që kanë qenë me temperatura shumë të larta, deri 42 gradë, sot janë 39 apo 39.5. Relativisht më freskët, 36 gradë parashikohet në qarkun e Korçës.
Sot është dhe kulmi i dytë i valës së nxehtë”, tha Porja.
Sipas saj, duke filluar nga fundjava ka një tërheqje të lehtë. “Nuk do regjistrohen të shtunën dhe të dielën këto vlera ekstreme, por mbetet 40-gradëshi dhe në disa zona më shumë. Epiqendra e kësaj vale dhe temperaturat më të larta janë shënuar në qarkun e Elbasanit, Beratit, Gjirokastrës. Ka qenë dhe Shkodra dhe Kopliku, por pritet gjatë fundjavës të ketë ulje. Megjithatë një tjetër kulm, që është kulmi i fundit sepse jo më kot është quajtur cerberus me tre koka, për shkak të tre kulmeve, një tjetër kulm e presim ditën e martë që është kulmi i fundit i kësaj vale, kur termometri do të ngjitet në 41-42 gradë dhe më pas do të kemi, pas të mërkurës, tërheqje graduale të valëve. Temperaturat nuk do jenë kaq ekstreme, por do mbetemi sërish në 37-38 gradë”, deklaroi sinoptikania.
Porja tha më tej se korriku mbyllet me temperatura shumë të larta. “Futet gushti i nxehtë dhe me temperatura 37-38 gradë celsius. Nuk kemi vlera ekstreme 40-41 gradë. Megjithatë na pret një gusht i nxehtë. Nuk përjashtohet një tjetër valë, por nuk do kemi një valë kaq të egër si ajo e korrikut. Stuhitë tropikale do jenë prezentë, por të izoluara dhe jo problematike. Për momentin nuk ka reshje. Nuk kemi sinjale për reshje si Kroacia, Bosnja. Shqipëria do jetë me mot të kthjellët dhe të nxehtë, të paktën deri në javën e parë të gushtit.
Nuk përjashtohet që territori shqiptar të ketë stuhi tipike që vijnë pas temperaturave të larta. Fatmirësisht ne nuk i kemi kushtet e favorshme dhe lagështirë të lartë për të pasur stuhi të tilla. Parashikoj që fundjava dhe gjitha java tjetër të mos ketë stuhi sepse janë disa fenomene që parashikohen 2-3 ditë përpara, por për momentin nuk duhet të jemi në panik”, tregoi Porja.