Vangjush Dakon bën veprimin e papritur për të dalë nga qelia, Gjykata e hedh poshtë

737
0

Gjykata e Posaçme ka dhënë masën paraprake të sigurisë “Arrest me burg” për Vangjush Dakon, ish-kryebashkiak i Durrësit i arrestuar për shpërdorim detyre në dy raste. Ai ka kërkuar masë më të butë sigurie, për të dalë nga qelia, por kjo nuk është pranuar.

Përmes avokatëve të tij, Dako ka kërkuar të lërë pasurinë si garanci për të dalë nga qelia dhe derisa hetimet të përfundojnë. Pas një seance maratonë prej shtatë orësh, togat e zeza kanë rrëzuar pretendimet dhe kanë vendosur që ish-kryebashkiaku të qëndrojë në qeli.

Vangjush Dako do të qëndrojë në paraburgim, deri në një moment të dytë pasi avokati është shprehur se do e ankimojnë vendimin e sotëm.

“Natyrisht, vendimi për mendimin tonë vendimi është në shkelje të plotë. Dako akuzohet për një fakt penal historik. Ka 10-12 vjet që pretendohet. Prokurori nuk paraqiti asnjë provë për këtë nevojë të ngutshme për masën e marrë.

Kërkesa jonë ishte ndryshime i masës së sigurisë. Nuk mund të mbajë përgjegjësi kryetari i Bashkisë për strukturat e tjera”, ka deklaruar Petrit Ismaili, avokat i Dakos. Ai ka thënë se nuk ka pasur prova konkrete të paraqitura në gjyq, për të justifikuar prangosjen e menjëhershme.

Gjykata e Posaçme, ndërkohë, ka ndryshuar masat e sigurisë për disa nga të arrestuarit e tjerë, duke dhënë masa më të buta sigurie, si detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore.

Edhe për pjesën tjetër të personave të ndaluar, Gjykata e Posaçme ka dhënë kryesisht të njëjtën masë:

Adnand Toçila – Masë sigurie: Arrest me burg
Fiqiri Farruku – Masë sigurie: Arrest me burg
Meri Semini – Masë sigurie: Arrest në shtëpi
Firzilet Hajdëri – Masë sigurie: Arrest në shtëpi
Adrian Bulku – Masë sigurie: Arrest në shtëpi
Diana Dedja – Masë sigure: Detyrim paraqitje
Adhurim Qehajaj – Masë sigurie: Arrest me burg, në mungesë
Ermal Lama – Masë sigurie: Arrest me burg, në mungesë
Fatmir Ejupi – Masë sigurie: Arrest me burg, në mungesë