Abuzoi me gruan për 17 vite me radhë. Në fund, ajo mori guximin dhe e denoncoi. Kështu që një 50-vjeçar me origjinë shqiptare është vënë në pranga nga karabinierët në Bologna. Ndaj tij rëndojnë akuzat e lëndimit dhe dhunës seksuale ndaj gruas.
Tashmë ai qëndron në arrest shtëpie pas hetimeve që nisën në Mars të këtij viti kur gruaja, një 46-vjeçare po ashtu nga Shqipëria, vendosi që ta denoncojë bashkëshortin.
Ajo u tha autoriteteve se kishte qenë viktimë e abuzimit për të paktën 17 vite. Gjithçka ka nisur pas lindjes së djalit të dytë në vitin 2006, kur bashkëshorti i saj i papunë filloi të dehej dhe ta nxirrte inatin tek ajo. Fillimisht ajo tha se e rrihte, më pas e kërcënonte me vdekje dhe në fund e detyronte që të kryente marrëdhënie seksuale kundër dëshirës.
Madje sipas saj, në vitin 2018 në Muajin Gusht ajo kishte mbetur e lënduar në dorë me një thikë. Pas denoncimit, ajo është larguar nga shtëpia me djalin e mitur dhe jeton me disa të afërm.