Mbylli vajzën e tij në bodrum për 24 vite dhe bëri 7 fëmijë me të, zbulon pse e bëri: Nisi si lojë në mendjen time…

276
0

Josef Fritzl ka zbuluar se çfarë bluante në mendjen e tij kur vendosi që të mbante të mbyllur në bodrum vajzën e tij për 24 vite me radhë dhe të bënte me të 7 fëmijë gjatë kësaj kohe.

Ai që nga mediat austriake dhe të mbarë botës u quajt “babai përbindësh”, tregon mendimet e veta në librin e tij “Die Abgründe des Josef F” (Humnera e Josef F), që është publikuar në Gjermani javën e kaluar.

Fritzl u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2009.

Vajza fatkeqe u zhduk në vitin 1984, kur ishte 18 vjeç, dhe u rishfaq në 26 prill 2008, kur policia e zbuloi në një bodrum të fshehtë, poshtë shtëpisë së babait të saj në Amstetten të Austrisë.

Duke reflektuar mbi krimet e tij, 87-vjeçari Fritzl shkruan në libër: “Në fillim, e kisha si lojë në mendjen time. Pastaj, u mësova. Ajo ide që më parë më dukej shumë absurde, shumë e përbindshme, nisi të marrë formë. Një ditë e kisha të qartë se çfarë duhet të bëja. Më mbetej vetëm që të prisja momentin e duhur. Në atë mëngjes të shtune me shi, momenti erdhi. Mendimi im u shndërrua në veprim”.

Fritzl bëri gati burgun e tij, që kishte një derë metalike të rëndë pas një rafti në studion e tij të punës. Vetëm ai mund ta hapte këtë derë, me anë të një kodi që vetëm ai e dinte. Vajzës së tij i tha se dera ishte e lidhur me korrentin dhe nëse e prekte, do të vdiste në vend.

Duke përshkruar se si nisën 24 vite krimesh të tmerrshme, Fritzl tha: “Mëngjesin tjetër, denoncova zhdukjen e vajzës në komisariatin e policisë. Polici tha se duke qenë se bëhej fjalë për një 18-vjeçare, vajza mund të bënte çfarë të donte”.

Fritzl detyroi vajzën që të shkruante letra për të ëmën, ku i thonte se dëshironte që të qëndronte larg shtëpisë. Ndërkohë, fqinjëve i thonte se Elisabeth i ishte bashkuar një kulti.

3 nga fëmijët i rriti Elisabeth në bodrum, njëri vdiq disa ditë pasi lindi dhe Fritzl e hodhi trupin e foshnjës në incinerator. 3 të tjerët i rriti gruaja e Fritzl, ose gjyshja Rosemarie.

Ndërkohë, në një tjetër pjesë nga libri, Fritzl thotë: “Në të vërtetë, jam njeri i mirë”.

Ai e justifikon gjithçka duke theksuar se i është mohuar: mirëkuptimi, përkujdesja dhe dashuria. Madje i moshuari ka plane për t’u rikthyr në Amstetten e për të ngritur një biznes atje.

Ai ka paraqitur një kërkesë për t’u transferuar në një burg normal, por Gjykatat austriake e kanë refuzuar. Fritzl, i cili ndryshoi emrin e tij në Mayrhoff gjashtë vjet më parë, tani thuhet se vuan çrregullime mendore. Edhe pse të gjithë e kanë cilësuar si të çmendur, avokatja e tij ka tjetër mendim. Wagner thotë: Ky plak është larg të qenurit i pafuqishëm, nuk ka asnjë shenjë çmendurie.

Avokatja e botoi librin në bazë të rrëfimeve që krimineli i ka bërë.