“Po flisnin në telefon kur papritur…”, mesohet arsyeja e aksidentit ku humbi jetën çifti i bashkëshortëve në Librazhd

563
0

Një aksident i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas. Një automjet tip “Volkswagen” i drejtuar nga Arjan Yze, 55 vjeç dhe bashkëshortja e tij Majlinda Yze, 50-vjeçe, doli nga rruga dhe ra në ujërat e përroit të Lengajcës, të lumit Shkumbin. Për pasojë kanë humbur jetën burrë e grua.

Aksidenti u pikas me vonesë dhe për çiftin e bashkëshortëve nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Në vendin e ngjarjes shkuan policia dhe reparti zjarrfikës, të cilët nxorën trupa e pajetë dhe automjetin.

Gazetari i Klan News, Fatos Salliu mëson se burrë e grua udhëtonin nga Tirana në drejtim të vendbanimit të tyre, Devollit. Sipas të dhënave paraprake, Arjan dhe Majlinda Yze ishin duke komunikuar me familjarët e tyre, por papritur linja u shkëput, në orën 20:00 të së dielës, duke bërë që familjarët të kuptonin se diçka kishte shkuar keq.

Ndaj dhe familjarët kanë lajmëruar policinë dhe kanë kërkuar gjatë gjithë aksit Pishkash-Përrenjas. Mjeti u gjet i rënë në përrua, por bashkëshortët fatkeqësisht kishin humbur jetën.

Një grup hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Dyshohet që shkak të jetë bërë përgjumja e drejtuesit te automjetit.