Burri e vjehrra invalidë, djalin 13-vjeçar me autizëm: Në një divan kam njërin, në një divan kam tjetrin..

2306
0

Valbona Haliti është nëna e dy fëmijëve, një vajze15-vjeçare dhe një djali 13 vjeç, Silvi, i cili është me autizëm. Valbona rrëfen në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se djali fliste dhe sillej normalisht deri në moshën 3-vjeçare përpara se të sëmurej rëndë dhe të qëndronte 3 javë në spital.

Trupi i tij ishte mbushur me njolla të kuqe dhe dyshohej për temperaturë të brendshme. Ishte bashkëshorti i Valbonës ai që vuri re problemin e djalit dhe menjëherë e njoftoi që të shkonin në spital. Mjekët i thanë prindërve se kishte një lidhje me autizmin, diçka që ata nuk e njihnin.

Pas kësaj, dinin vetëm që djali i tyre nuk ishte më si parë dhe 10 vjet më vonë, problemet vetëm janë shtuar.

Valbona Haliti: Djali ynë po vete 14 vjeç është shumë, shumë më ndryshe, jashtëzakonisht, nuk flet fare, fare, fare.

Katerina Trungu: As tani, nuk ka ndonjë lloj përmirësimi?

Valbona Haliti: As tani, edhe pse është fëmijë i dashur, ka edhe ai ato problemet e veta që ta bën mishin copa-copa.

Katerina Trungu: Kthehet në agresiv?

Valbona Haliti: Edhe mërzitet. Me mua si nënë po sepse nuk flet dot, ka 10 vjet që nuk flet asnjë fjalë, vetëm me shenja.

Katerina Trungu: Kur do të kërkojë diçka?

Valbona Haliti: Kur do të kërkojë diçka. Para ca vitesh atij i shpërtheu edhe hemorragji nga njëri-vesh. Unë kur e kam parë jam shokuar, kishte dhimbje.

Katerina Trungu: Çfarë thanë mjekët për këtë?

Valbona Haliti: “Ti si nënë duhet ta kishe kuptuar”. Po ti si mjek që ta kam sjellë sa e sa herë dhe i ke mbushur recetën “virozë, virozë”, nuk e kuptove?

Katerina Trungu: Ishte diçka kjo, më fal se nuk e kuptova, ishte sëmundje?

Valbona Haliti: Jo, nga dhimbja e madhe, nga fyti kaloi në vesh, as vetë nuk e kemi marrë vesh por janë gjithë këto vite që ai ka probleme me veshin, i është shpuar njëri vesh.

Brixhilda Muça: Dhe merr ilaçe për këto.

Valbona Haliti: Dhe merr ilaçe gjatë gjithë kohës. Ndërkohë kam dhe bashkëshortin të sëmurë invalid. I ka rënë infarkt në moshën 42 vjeç. Domethënë edhe burri që punonte…

Katerina Trungu: Pas lindjes së fëmijëve kuptoj unë.

Valbona Haliti: Po.

Valbona Haliti: Edhe kam edhe vjehrrën e paralizuar që është edhe ajo me 5 unaza në zemër si  bashkëshorti. Në një divan kam njërin, në një divan kam tjetrin, kam edhe çunin. Sikur të mos mjaftonin këto, shkojnë më shkurtojnë edhe kujdestarinë.