Enerieta dhe Gentiani janë motër e vëlla dhe kanë ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për nënën e tyre. Enerieta është vajza e madhe e familjes dhe thotë se pengu i saj më i madh është që nuk ka mundur t’i shijojë prindërit sepse pas largimit nga shtëpia në moshën 14-vjeçare për të kryer studimet në Gjirokastër, emigroi në Francë.
Për të na njohur pak më shumë me nënën, e cila është arsyeja e ardhjes së tyre në programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Enerieta nis të rrëfejë historinë e saj dhe njohjen e prindërve.
Enerieta: Mami është nga Devolli i Korçës. Në moshën 18 vjeçe mbaroi pedagogjiken dhe erdhi mësuese në fshatrat e thella të Përmetit dhe aty u njoh me babin. Babi ishte drejtor shkolle dhe mësuesja u dashurua me drejtorin. Dashuria e tyre ishte shumë e fortë.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishte mami?
Enerieta: 19. shkoi 18 dhe 19 ra në dashuri me drejtorin.
Ardit Gjebrea: Po familja e mamit ishte dakord?
Enerieta: Jo sepse ata ishin devollinj, fshatrat e Përmetit ishin fshatra shumë të thella, shumë të varfra. Ata e mbanin veten për më mirë, në xhade. Pasi u përpoqën, e njohën babain, thanë që “si djalë është djalë shumë i mirë, nuk shahet, por puna është që është shumë larg, ti moj vajzë do humbasësh në ato fshatra” se vërtet ishin fshatra shumë të thella, mes maleve.
Ardit Gjebrea: Sidoqoftë, mami vajti.
Enerieta: Gjyshja i tha “unë nuk të lë të ikësh vetëm në ato fshatra, do marrësh me vete dhe motrën, Muazezin”. Kështu u bë, u martuan dy motra në të njëjtën ditë me dy çuna xhaxhallarësh.