Sot shënohen 32 vjet nga Eksodi Biblik i Marsit dhe një ndër personat që e kujton shumë mirë këtë moment është Ivo Calebotta, një emigrant shqiptar, i cili u nis në Itali në moshën 13-vjeçare.
Ai u largua me dajën, pa i thënë prindërve dhe ka bërë një udhëtim shumë të vështirë me anije.
Ivo ka treguar për “ABC e Mëngjesit” të gjitha peripecitë e atij udhëtimi dhe se çfarë i ndodhi kur kaloi detin. Ai theksoi se nuk ka për ta harruar gjithë jetën.
“Nuk e kisha fare iden se çfarë do më priste, se çfarë do bëja. Më priste, ai momenti i aventurës që kisha në tru në ato momente. Kisha qejf vetëm të ikja diku në ato momente, me e pa me sy se e shikoja në televizor dhe më ngjante bukur. Italia e vërtetë është ndryshe nga ajo që shihet në televizor, sepse ndryshojnë gjërat. Thjesht, ishte ai mendimi që do të shkojmë diku tjetër, në një vend më të mirë. Edhe nuk e mendova se ça do të më priste, thjesht u nisa.
Unë isha në darkë në shtëpi dhe i thash tezes kam në plan të nisem për në Itali nesër dhe e mori me shaka. Mirë, mirë, më tha mua, shko fli gjumë se është vonë. Edhe unë bëra gati librat e shkollës dhe në mëngjes piva vetëm një gotë ujë dhe prindërit po flinin gjumë, thash mos t’i bija në sy asnjëriut. Te kantieri detar më priste daja, ndejtëm pak, u sorrollatëm, filluan ushtarët të shtinin me armë në ajër se kishte shumë njerëz dhe donin t’i shtinin frikën që mos të hynin. Aty pastaj hypëm në anije, ai ishte udhëtimi që mu kthye në skëterr. Nuk kam për ta harruar gjithë jetën, pasi udhëtimi zgjati rreth 15 orë.
Unë kam fol me kapitenerinë e portit dhe me Guarda Di Finanza. Isha shumë i revoltuar se ata po mundoheshin për të na bërë vaksinat për sëmundjet, po mundoheshin të na sistemonin. Po kujdeseshin për fëmijët, që t’i sistemonin. Por shqiptarët, që ishin lloj lloj njëriu, nuk ishin të gjithë të drejtë, edhe filluan: ‘Duam cigare, duam këtë, duam atë’”, u shpreh ai.