Të gjithë drejt teknologjisë/ Puna nga shtëpia dhe pagat e larta, shqiptarët po dynden drejt kurseve në fushën e IT-së

203
0

Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë, kërkesat e mëdha për punësim dhe pagat e larta po tërheqin gjithmonë e më shumë vëmendjen e shqiptarëve drejt kurseve profesionale në fushën e IT-së.

Hatixhe Bilibashi, themeluese dhe drejtuese e Albanian ICT Academy tregon për A2CNN se interesi për programet e trajnimit është i lartë, si nga ata që kërkojnë të thellojnë njohuritë e tyre në këtë fushë, ashtu edhe nga fëmijët që e nisin nga bazat.

Kurset për fëmijë nisin që nga grup mosha 7-15 vjeç, ku preferohen kodimi, programimi i lojërave dhe robotika, programe që zhvillojnë logjikën, kreativitetin dhe përqendrimin. Ndërsa tek kurset profesionale për të rritur, një interes të madh po ngjall që prej sulmeve nga Irani, dega e sigurisë kibernetike.

Mundësia për t’u punësuar në distancë dhe për të punuar nga shtëpia, ka bërë që shumë persona që vijnë të trajnohen me synimin për të emigruar, të zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri.

Në vendin tonë, vitet e fundit, ka një shtim të konsiderueshëm të qendrave të cilat ofrojnë kurse profesionale në fushën e teknologjisë së informacionit. Disa programe të financuara nga qeveria apo partnerë të huaj mundësojnë trajnimin falas të fëmijëve dhe bursa 50% deri në 100% të vlerës së kursit për të rinjtë dhe të rinjtë e papunë.