“Nuk po gjej djalin tim”/ Përplasja e trenave, apeli i nënës së 23-vjeçarit shqiptar: Ju lutem të gjithëve, ishte ulur në..

257
0

Zi dhe pikëllim i thellë mbizotëron në të gjithë Greqinë për 57 personat që humbën jetën në mënyrë tragjike në aksidentin vdekjeprurës të përplasjes së trenave mbrëmjen e së martës në luginën e Tembit.

Skenat tragjike tashmë janë zhvendosur në spitalin e Larisës ku familjarët e viktimave po marrin trupat e të dashurve të tyre në arkivole të mbyllura, ndërsa disa prej trupave të paidentifikuar mbahen në një kamion frigoriferik pasi morgu është i mbushur plot.

Sipas urdhërit të autoriteteve identifikimi bëhet përmes ADN-së, në mënyrë që të afërmit të mos shohin njerëzit e tyre që kanë humbur në gjendjen pas aksidentit. Midis prindërve fatkeqë që presin identifikimin e viktimave apo diçka të re për personat që konsiderohen të humbur janë edhe ata të Denis Rucit, 23-vjeçarit me origjinë shqiptare që ndodhej në vagonin 5 të trenit të vdekjes.

“Nuk kemi asnjë informacion ku gjendet, ishte te një prej vagonave ku u shpëtuan shumë të rinj. Ju lutem të gjithëve, bëj apel ndaj gjithë atyre të rinjve që ndodheshin në këtë vagon nëse e panë, qëndronte në karrigen me numër 22. Nëse dikush do e njohë nga fotografitë ju lutem më njoftoni sepse nuk po e gjej djalin tim. Nuk e di në se ishte ulur në vendin e tij në momentin e përplasjes apo kishte shkuar në vagonin e restorantit”, thotë nëna e 23-vjeçarit, Mirela Ruçi.

Dje në mbrëmje është identifikuar edhe 23-vjeçarja me origjinë shqiptare Ifigjenia Micka. Vazhdojnë të trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv të intubuar, shtetasi shqiptar Roberto Dristi 25 vjeç që ka thyerje në shumë pjesë të trupit, ndërsa 23-vjeçarja Anisa Liuri ka mbërritur dhe mjekohet në spitalin e traumës Papanikolau në Selanik.

Organet greke deklarojnë se janë identifikuar të paktën 30 viktima, 52  të afërm të pasagjerëve kanë kryer testin e ADN-së, ndërsa 55 teste janë marrë nga trupat pa jetë.  Ekipet e shpëtimit kanë mbledhur 18 qese të posaçme me pjesë trupore të viktimave nga të cilat janë marrë edhe 26 teste ADN.