“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia…” Dan Hutra, autori i masakrës së Paskuqanit: Pasi ekzekutoi gruan mori në telefon prindërit e saj

536
0

Dan Hutra është autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë në Paskuqan që ndodhi këtë të mërkurë (1 Mars 2023). Ai qëlloi për vdekje motrën dhe kunatën e ish-bashkëjetueses, ndërsa kjo e fundit dhe ish-vjehrra mbetën të plagosura.

Hutra, rreth 40 vjeç, është emër i njohur për policinë dhe drejtësinë. Historia e tij e përballjeve me ligjin fillon që në vitin 2003. Asokohe ai ka qenë i dënuar për heqje të lirisë së nënës së kunatës së tij dhe përdhunimin e kunatës tjetër. Për këtë krim ai ka vuajtur vetëm 3 vite burg.

Pasi ka dalë nga burgu, Hutra u fejua me Dafina Havaljan, e cila do të përfundonte në tragjedi. Më 11 Dhjetor 2007, Hutra vret ish-të fejuarën. Sipas hetimeve asokohe, Hutra dyshonte për një tradhti.

Në Mars të vitit 2009, Hutra do të dënohej me 24 vjet burg për vrasje me paramendim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar atij i mbetën për të vuajtur vetëm 16 vjet burg. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Hutra dhe Havalja jetonin në një banesë me qira tek Fusha e Aviacionit.

Hutra, i sapo ardhur nga emigrimi, dyshonte se e fejuara e tradhtonte. Pas 8 muajsh fejesë ai ka marrë thikën dhe e goditi disa herë në zemër, goditje këto që i sollën vdekjen e menjëhershme 22-vjeçares nga Klosi i Dibrës.

Akuza argumentoi asokohe se fejesa e tyre ka qenë e mbushur me debate dhe tensione. Por një mëngjes Dhjetori në vitin 2007 pas zënkave, Hutra u largua nga shtëpia. Vajza telefonoi prindërit që të shkonin ta merrnin pasi nuk donte të jetonte më me të. Pasi u kthye sërish në banesë, Hutra është vënë në dijeni të telefonatës dhe kërkesës së saj për t’i dhënë fund lidhjes.

Në këtë moment ai ka marrë thikën dhe e ka goditur në zemër. Pas krimit, Hutra mblodhi rrobat e veta, u largua nga banesa dhe lajmëroi familjarët e vajzës.

“Hajde merreni! E keni të vrarë tek shtëpia”, ka qenë telefonata që ai i ka bërë prindërve të saj. Hutra u kap pas te ditësh arratisje në afërsi të Kukësit. Gjatë kohës që ka qenë i paraburgosur, Hutra ka tentuar që të vrasë veten në qeli.

Ky është profili i Hutrës i cili shkaktoi masakrën në Paskuqan. Por si të mos mjaftonte kjo listë e gjatë e dënimeve të tij, Hutra nuk i kishte mbushur dy javë që ishte liruar sërish në burgu. Kësaj radhe për dhunë. Më 16 Qershor të vitit të kaluar ai ishte vënë në pranga, por u lirua më 16 Shkurt të 2023-shit për dhunë në familje./tvklan/