70 shqiptarë kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që ra në Kahramanmaras të Turqisë ndërsa tre të tjerë janë konfirmuar në Hatay. Lajmin është bërë me dije për Kosovapress nga Kryetari i shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya.
Ai tha se deri më tani vetëm një familje është nxjerrë e gjallë nga rrënojat. Ai kritikon Ambasadën e Kosovës në Turqi, duke thënë se nuk po u ndihmojnë familjeve të prekura nga tërmeti. Kaya, i cili tregon se po udhëtojnë nga Adana thotë se janë duke marrë ndihma prej disa vendeve për të ndihmuar shqiptarët në Turqi.
“Tani në Kahramanmaras 70 veta kanë vdekur. Edhe në Hatay, tre shqiptarë kanë vdekur. Aty i kam pa në Facebook edhe çfarë kam dëgjuar po ju tregoj… Tani për ushqim nuk është problem, por për t’u ngrohur se ftohtë është shumë. Stufat po i dërgon shteti nga mundet, disa që nuk po munden me u lajmërua po edhe ne sa po mundemi po u ndihmojmë”, tregon ai.
Ai tregon se shumë nga shqiptarët që jetojnë në këto vende të prekura nga tërmeti kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.
“Ambasada neve nuk na ka kërkuar hiç. Telefon nuk na ka bërë hiç prej Kosovës. Se di për karrige është ardhur apo për çfarë ka ardhur në Turqi, nuk po e di. Ky ambasadori hiç nuk më ka kërkuar, vetëm Avni Spahiu, Bekim Sejdiu, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxherri dhe krejt ata që janë kryetarë”, shprehet ai.
Më tej, Kaya shprehet se deri më tani vetëm një familje shqiptare është nxjerrë e gjallë nga gërmadhat. “Vetëm një person me familje ka shpëtuar prej ndërtesës, me katër persona ka dalë… Edhe ai është në fshat tonin për momentin, si po e pyes diçka po nis të qajë se i ka vdekur fqinji”, përfundon ai.