Përplasi për vdekje kalimtarin, deputeti Rakipi shpallet i pafajshëm me këtë motivacion

653
0

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë për të pushuar hetimet ndaj ish-deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili u përfshi në një aksident me pasojë vdekjen e një shtetasi në gusht të vitit të kaluar.

Sipas prokurorisë, e cila u bazua në dy akte ekspertimi, ish-deputeti Rakipi rezultoi i pafajshëm në atë aksident fatal për jetën e një kalimtari. Sipas ekspertëve, ndërprerja e menjëhershme e rrugës nga viktima si dhe fakti që Rakipi ka patur një fushëpamje të kufizuar, për shkak se anës rrugës kishte ndaluar furgoni nga ku zbriti viktima, e zhveshin nga përgjegjësia ish-deputetin Rakipi.

Ndërsa sa i takon faktit, që ai u largua nga vendngjarja për t’u dorëzuar në Komsariatin e Policisë nr. 2 në Tiranë, argumentohet me gjendjen e rënduar psikologjike për shkak të aksidentit. Mësohet se edhe familjarë të viktimës kanë dhënë pëlqimin e tyre, duke deklaruar se nuk kishin asnjë rezervë për hetimet si dhe ndaj ish-deputetit Rakipi.

Në këto kushte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë, duke vendosur pushimin e hetimeve ndaj Aqif Rakipit.