“Qëlloi për të shpëtuar veten dhe familjen” Vrau shqiptarin që i sulmoi shtëpinë me ekskavator, lirohet italiani

158
0

Sandro Mugnai ka lënë qelinë. Italiani i cili mbrëmjen e së enjtes (5 Janar) vrau me armë zjarri shqiptarin Gëzim Dodoli, pasi ky i fundit tentoi t’i shkatërronte shtëpinë me ekskavator, doli të hënën para gjykatës dhe u la i lirë nga kjo e fundit. Kjo pasi trupi gjykues vlerësoi se 53-vjeçari kishte vepruar në vetëmbrojtje.

Qëlloi për të shpëtuar veten dhe familjen: 6 persona të tjerë, të ëmën e moshuar, bashkëshorten, djalin e vogël, vëllain dhe të afërm tjerë, që rrezikonin të vdisnin nëse do të shembej çatia si pasojë e goditjeve nga ekskavatori. Banesa në fjalë u shpall e pabanueshme, që ditën e ngjarjes.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, në seancën gjyqësore, Mugnai tregoi edhe dinamikën e ngjarjes që duket se edhe bindi gjykatësin. Sipas 53-vjeçarit, të shtënën e parë e gjuajti përtokë, jo në drejtim të fqinjit të tij Gëzim Dodoli, e më pas e paralajmëroi duke i bërtitur: Ndal.

Po në ato momente, vëllai i autorit kishte dalë në dritare dhe po përpiqej të bindte shqiptarin që të ndalej, por pa sukses. Të shtënat e tjera iu drejtuan Dodolit, i cili gjeti vdekjen në vendngjarje. Por çfarë alternative kishte i zoti i shtëpisë? Sipas gjykatësit të çështjes, të paktën subjektivisht, ekzistonte rreziku që personat që ndodheshin në shtëpi të humbnin jetën, ndaj dhe ishte mbrojtje e ligjshme.

Në këtë mënyrë bie akuza e vrasjes me dashje, me të cilën Mugnai u arrestuar nga karabinierët natën mes 5 dhe 6 janarit. Në telefon i kishte marrë vetë ai: Hajdeni se ka ndodhur një tragjedi.

Më herët në mediat italiane është raportuar se mes fqinjëve, të cilët dikur kishin qenë miq, kishte prej kohësh mosmarrëveshje. Megjithatë ende mbetet mister çfarë e shkaktoi sulmin e së enjtes, pasi më herët atë ditë mes tyre nuk kishte pasur një debat./klantv/