Nisma e re për të papunët nën 29 vjeç në Shqipëri, iniciativë e BE

505
0

Mbi 28% e të rinjve në Shqipëri janë të papunë, pa arsim apo formim profesional.

Për të zbehur këtë fenomen, në vitin 2023 çdo të riu do i ofrohet një punë, arsimim i vazhdueshëm apo praktikë profesionale brenda 4 muajve nga regjistrimi në zyrën e punës.

Kjo është cilësuar si garanci rinore në projektligjin më të ri për ‘nxitjen e punësimit’ të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si pjesë e iniciativës së BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Ky projektligj parashikon edhe një pagesë për të rinjtë që zgjedhin një trajnim profesional.

Për ekspertin e punësimit që papunësia tek të rinjtë të ulet, vëmendja duhet çuar edhe tek këshillimi i karrierës, përmes identifikimit të prirjeve dhe talenteve.

“Që në klasën e 6-të apo të 7-të një i ri do duhet të kuptojë se ku i ka prirjet e zhvilluara, të marrë sinjalet e para me qëllim që të ketë mbështetjen dhe të fitojë pavarësinë përgjatë arsimit të mesëm dhe të ketë një profeison të kompletuar e të jetë i qartë për profesionin e nesërm”.

Përndryshe tregu do vijojë të përballet me mungesë të forcës së punës.

“Pa u bërë siç duhet ky proces ne do vuajmë akoma pasojat sociale dhe ekonomike, pasi  problematikat aktuale i shtyjnë të rinjë pa patur këtë mbështetje që herët të mund të bëjnë dhe zgjedhje që ose janë të gabuara ose nuk janë të duhura ose i largojnë ata nga mundësia e punës ose formimit profesional”.

Për nxitjen e punësimit ne vitin 2023 është parashikuar një fond prej 3.4 miliardë Lekësh.