Jul Deda i gatshëm të kandidojë përballë Veliajt për Bashkinë e Tiranës: E kam me shumë dëshirë

113
0

Aktori Julian Deda ka shprehur hapur dëshirën e tij për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme.

Ai tha se është i gatshëm që të kandidojë përballë Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës, nëse e vendosin demokratët.

“Tani, ndoshta ka ardhur koha që ta marrin në dorë njerëzit atipikë, që i shohim përditë, që vuajnë njësoj si ne. Kemi nevojë t’i shohim këto njerëz të na drejtojnë, ndoshta këto  njerëz na e dinë më mirë hallin, sesa një politikan i sprovuar në karrierë, i cili i ka mbyllur hallet e veta.

A do doja unë të isha? Nëse demokratët e vendosin, po. Do doja të isha, nuk ka asnjë problem. E kam me shumë dëshirë dhe pse jo, pse mos të jem, nëse demokratët vendosin. Por duhet të jemi të gjithë bashkë që ta vendosim. Atë do ta vendosin demokratët dhe gara brenda Partisë Demokratike. Nëse vendosin demokratët, unë do të jem i gatshëm të zhvishem nga këto rroba që kam sot dhe të mbyllem në kullë dhe të punoj për kryeqytetin, patjetër”, tha Deda për “Euronews”.

E teksa jemi në prag të shpalljes së emrave kandidatë për krerët e Bashkive, lart e poshtë gjatë ditëve të fundit janë përfolur disa emra kandidatë të mundshëm për Bashkinë e Tiranës. Nga e djathta emrat më të lakuar janë deputeti PD Belind Këlliçi dhe mjeku, Ilir Alimehmeti.