Fluks aplikimesh për lotarinë amerikane, shkodranët me sytë nga emigracioni (Video)

312
0

Që nga data 5 tetor ka nisur zyrtarisht në të gjithë vendin aplikimi për lotarinë amerikane.

Në qytetin e Shkodrës më të interesuarit duken grupmoshat e të rinjve ndërsa më pak të interesuar, grupmosha mbi 50 vjeç.

Ky është Domeniko Jakova me profesion fotograf ndërsa gjatë periudhës së lotarisë amerikane kryen dhe aplikime për qytetarët si një mënyrë për të siguruar më shumë ardhura pasi kërkesat janë shumë të larta. Grupmoshat që aplikojnë më shumë janë të rinjtë

“Grupmosha 18 deri në 30 vjeç, moshat që janë beqarë dhe që nuk kanë status civil të martuar, por ka dhe shumë familjarë që aplikojnë çdo ditë”, thotë Jakova.

Edhe nga prononcimet e qytetarëve në rrugët e qytetit të Shkodrës vihet re dëshira e të rinjve për t’u larguar nga Shqipëria.

E ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

“Shumë herë e kam menduar. E di që kam qejf me ik”, thotë një i ri.

“Kam aplikuar më përpara për arsye se kam dashur për të ikur prej të afërmve, por s’më ka rënë”, shprehet një i ri.

Do aplikoni këtë vit?

“Besoj se po”.

Cila është arsyeja, dëshiron të largohesh nga Shqipëria?

“Arsyeja është për një jetë më të mirë dhe për të rregulluar jetën andej”, përgjigjet ai.

Më të trishtë situatën e bën mendimi që ky i ri ka për vendin e tij, teksa shprehet se nuk do t’i mungojë aspak.