Anita Likmeta: Salvini na ka përbuzur prej vitesh, ndërsa tani kërkon votat e shqiptarëve, por ne nuk harrojmë..

229
0

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Itali, ditën e diele, më 25 shtator, kandidati për deputet, kryetari i LEGA-s së djathtë, Mateo Salvini po kërkon mbështetjen e emigrantëve shqiptarë në Itali.

Lajmin e bën të ditur kandidatja për deputete në parlamentin Italian, sipërmarrësja shqiptare Anita Likmeta e cila kandidon në listën Impegno Civico të Partisë Demokratike, e cila është krijuar nga Bruno Tabacci, me mbështetjen e Ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio.

“Salvini i pafytyrë, kërkon votën e shqiptarëve pasi i ka përbuzur prej vitesh. Fatkeqësi për të, sepse ne shqiptarët jemi njerëz krenarë, me dinjitet dhe kujtesë të shkëlqyer”, shkruan në profilin e saj publik në facebook, Anita Likmeta.

Likmeta i referohet deklaratës së Salvinit, më 20 shtator 2013, ku në një postim të tij, ironizonte mbështetjen që drejtuesit e lartë të Unionit Evropian kishin shprehur për integrimin e Shqipërisë në BE.

‘Shefi i komisionit evropian, KE, Barroso, ka deklaruar se “E ardhmja e Shqipërisë është në Evropë”

Shumë mirë, jemi në rregull.

Propozoj; E lëmë këtë Evropë e këtë Euro, shqiptarëve, e dalim ne. si thoni?’, shkruante atëherë Salvini.

Anita Likmeta, sipërmarrëse në fushën e inovacionit është kandidatja e parë shqiptare që konkurron për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen me 25 shtator.

Likmeta është ndër kandidatet kryesore, në 3 rajone, Lombardi, Marche dhe Lazio, dhe 5 kolegje me listën Impegno Civico të Partisë Demokratike, e cila është krijuar nga Bruno Tabacci, me mbështetjen e Ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio.