Bordi ndryshon serish cmimin e naftes, ja sa do te kushtoje nga dita e sotme

1218
0

Bordi i Transparencës ka publikuar pa kaluar 24 orë nga publikimi i mëparshëm, çmimet e reja të karburanteve, si rezultat i lëvizjes së çmimeve në bursën Platts Mediteran.

Çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i naftës, jo më shumë se 216 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 204 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës, jo më shumë se 194 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 182 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i gazit, 77 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 68 lekë/litër për automjetet.

Një ditë më parë, çmimi i naftës ishte caktuar 224 lekë/litri, i benzinë 198 lekë/litri, ndërsa i gazit, 78 lekë/litri.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 16 shtator ora 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

“Ministria e Financës ndjen detyrimin të sqaroj opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.

Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ.

Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative.

Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet  në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit.

Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar në mbrojtje të interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

Situata që po kalojmë nuk është zakontë,  ndaj dhe vendimet që marrim, vijnë si përgjigje e zhvillimeve të ekonomisë vendase, por edhe e lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë”.