Fatmir Mediu: Duhen politikanë të ndershëm se na mbytën të korruptuarit

175
0

Këtë të martë nisi punimet sesioni i ri parlamentar, ku kryetarët e grupeve parlamentare shpalosën proritetet e forcave politike që ata përfaqësojnë.

Kryetar i Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu, deklaroi gjatë fjalës së tij se prioritet i punimeve të Kuvendit këtë sesion duhet të jetë një reformë zgjedhore që siguron zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe një reformë territoriale që i shërben interesave të qytetarëve dhe jo interesave të partive politike.

Gjithashtu ai shtoi se parlamenti ka detyrimin që t’u sigurojë të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që janë mundësinë për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur.

“Sfidat janë jashtëzakonisht të mëdha. Shqipëria po jeton kohë të vështira që nuk janë vetëm ekonomike.

Mendoj që kemi detyrim urgjent garantimin e një reforme zgjedhore që të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku deputetët nuk zgjidhen nga partitë por nga qytetarët. Garantimin e mundësive për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur të të gjithë shqiptarëve kudo që ata ndodhen. Një tjetër çështje me rëndësi është reforma territoriale e cila duhet tu shërbejë qytetarëve dhe jo interesave elektorale”, tha ai.

Mediu theksoi se vendi gjendet në një situatë të vështirë ekonomike dhe kërkoi nga qeveria marrjen e masave anti-krizë në ndihmë të familjeve shqiptare.

“Korrupsioni është kthyer në sistem, institucionet ndërkombëtare renditin Shqipërinë në pozicionet më të larta të krimit dhe korrupsionit. Shqipëria po has me një krizë të rëndë ekonomike.

Kemi një krizë akoma dhe më të mëdha që është humba e besimit të qytetarëve,e cila po shoqërohet me largimin masiv të të rinjëve nga vendi.

Sot për fatin e keq nuk ka dallim midis krimit dhe biznesit dhe për fatin e keq ne frymëzojmë më shumë këtë situatë me gjuhën e përdorur. Interesi i pushtetit dominon mbi interesat e qytetarëve.

Detyrë primare e qeverisë është të përcaktojë politikat e mbështetjes së familjeve shqiptare”, tha Mediu.