Departamenti Amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Ministrisë iraniane të Inteligjencës dhe Sigurisë si dhe ministrit Mahmoud Alavi, duke i akuzuar për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
Departamenti i Thesarit i SHBA, ndër të tjera e akuzon këtë Ministri të Iranit edhe për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
“Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka sanksionuar Ministrinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit duke i akuzuar për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër SHBA dhe aleatëve të saj. Që prej vitit 2007, Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë dhe përfaqësuesit e saj kanë kryer operacione dashakeqëse kibernetike kundër një sërë organizatash qeveritare dhe të sektorit privat në mbarë botën dhe në sektorë të ndryshëm.
Në Korrik 2022, aktorë që besohet se sponsorizohen nga Qeveria e Iranit dhe Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë ndërprenë sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, duke e detyrar qeverinë të pezullojë shërbimet publike online për qytetarët e saj. Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në kohë paqeje. Ne nuk do të tolerojmë asnjë aktivitet kibernetik gjithnjë e më agresiv të Iranit që synon SHBA ose aleatët dhe partnerët tanë”, ka thënë nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
Me vendosjen nën sanksione, nënkuptohet që të gjitha pronat dhe pasuritë që lidhen me këtë Ministri dhe titullarin e saj dhe që janë nën juridiksion amerikan janë të bllokuara. Edhe qytetarëve amerikanë u ndalohet përfshirja në transaksione me ta.
Dy ditë më parë Shqipëria pezulloi marrëdhëniet diplomatike me Iranin duke përzënë nga Tirana të gjithë stafin diplomatik të ambasadës së Iranit në vendin tonë.
Shkak u bë sulmi kibernetik disa javë më parë ndaj faqes e-Albania të shërbimeve qeveritare. Kryeministri Edi Rama tha se nga hetimet së bashku me agjencitë partnere, por edhe me kompaninë Microsoft, u zbulua se sulmi kibernetik ndaj vendit tonë ishte bërë nga Irani.